Nuk është vetëm muri që Donald J. Trump dëshiron të ngrejë në kufirin midis Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Amerika Latine është në fakt prej vitesh plot me mure të ndërtuara nën qeveritë e të dyja kampeve, të djathta dhe të majta, dhe në asnjë rast bota nuk e ka ngritur zërin, shkruan Paolo Manzo për “Il Giornale”.
Disa i quajnë ato “muret e heshtjes”, pikërisht sepse nuk tërheqin vëmendjen e mediave kryesore, të tjerë “muret e turpit”, sepse përtej fjalëve të bukura, kontinenti në jug të Rio Bravos (apo Rio Grandes nëse shihet SHBA), është i përbërë nga vende, shoqëritë e të cilave janë ende thellësisht të ndara në klasa.
Mure, si simbole të segregimit ekonomik dhe social, janë ndërtuar me dhjetëra syresh gjatë 30 viteve të fundit në Amerikën Latine, ndërsa askush nuk luajti as qerpikun, duke kontribuar kësisoj në një ndarje sociale që në shumë raste, është shndërruar në një hendek të vërtetë.
Ky është rasti për shembull në Lima, kryeqytetin e Perusë, ku qenë jezuitët ata që 30 vjet më parë filluan ndërtimin e atij që BBC e quajti si “muri i turpit”, dhe që sot ndan njërin prej komuniteteve më të varfëra të Limas, Pamplona Alta, nga lagjia e pasur Las Kasuarinas. Urdhri fetar, siç është raportuar nga mediat peruane, e ndërmori këtë hap për të mbrojtur kolegjin “La Inmaculada de las Casuarinas” nga dyndjet e mundshme, si dhe për shkak të frikës se toka përreth do të humbiste vlerën.
I njëjti “film” në Buenos Aires, Argjentinë, në Villa 31 (që këtu quhet “vila miseria” ose thjesht vila, ato që në Brazil quhen favelas), ku një gardh metalik fsheh mjerimet e kësaj lagje historike të varfëra (të ndërtuar në fillim të viteve 1930), nga pamja e drejtuesve të automjeteve që shkojnë në Retiro-n fqinje, një nga lagjet rezidenciale më lukzose në të gjithë Amerikën Latine, dy hapa larg nga simboli Obelisk i kryeqytetit, një trajektore e detyruar për turistët.
Natyrisht, as Meksika nuk bën përjashtim. Në Santa Fe, në Distriktin Federal, një tjetër mur, të tjera ndarje sociale, i njëjti justifikim: të përmbahet dhuna dhe kriminaliteti, a thua se të varfrit duhet të jenë patjetër kriminelë. Sa për Brazilin – që në Rio de Zhaneiro shkatërroi një lagje të tërë, Vila Autodromo, për t’i bërë vend objekteve sportive për lojërat olimpike, barrierat sociale janë në rendin e ditës – mbi të gjitha spikat ndarja mes lagjes Paraisopolis dhe lagjes luksoze të Morumbit, ku edhe i penduari i mafias italiane, Tomazo Busheta jetoi gjatë periudhës që gjendej në arrati në një vilë madhështore.
Pra kudo, e njëjta histori. Apartamente lukzose, të transformuara në fortesa të pamundur për t’u pushtuar, ndarje gjithnjë e më e qartë mes të pasurve dhe të varfërve.
Në fund, muri i Trampit ka shërbyer edhe për këtë. Një publikimin e historive të tjera, më pak të njohura. Historitë e atyre që segregimin e jetojnë çdo ditë, dhe nuk kanë as të drejtën e zemëratës publike të opinionit botëror, dhe as të lobit të shumëkombësheve, të cilat sot janë pronaret e mediave “”të mëdha” kryesore. /bota.al