Gazetar: Adrian Kerimi
Sopoti. Fshati i dy tragjedive të mëdha në dy shekujt e fundit. 3 dhe 4 nëntori përkujton masakrën çnjerëzore të strukturave partizane dhe çetnike të vitit 1944. E vërteta që u fsheh për shtatë dekada, u zbulua në këtë vend.
“Pikërisht në këtë vend, në vitin 1944, 65 fëmijë, djem dhe burra nga fshati Sopot, u lidhën, u keqtrajtuan dhe u masakruan në mënyrë çnjerëzore nga forcat partizane të asaj kohe. Për t’u vërtetuar se ata kanë vdekur, pas pushkatimit në kokat e tyre kishin vendosur gurë të rëndë, për të dëshmuar se ata kanë vdekur përfundimisht”, raporton Adrian Kerimi, gazetar i Alsat.
Si u zbulua varreza masive? Si janë gjetur mbetjet në tokë? A kishte rezistencë nga banorët e fshatit Sushevë? Pse u mbajt ky sekret për disa vite nga ata banorë, derisa jetonin pak metra larg Sopotasve. 78 vjetori i masakrës e gjen vendin pa një shenjë përkujtimi.
“Kjo pjesa këtu është varri masiv që pas shumë përpjekjeve arritëm të gjejmë lokacionin e saktë. Si erdhët deri te informacioni që këtu ka varrezë masive? Erdhëm si rezultat i përpjekjes dhe ndihmës që na dha një dha një fshatar i Sushevës. Nuk e dinim a është si saktë, por e vërteta është se na pru këtu dhe na tha se tani mund të hulumtoni dhe t’i merrni eshtrat. Këtu na ka mbet një gjë që nuk po mundemi ta realizojmë shkaku se thjeshtë administrative. Këtë tokë nuk po mundemi ta blejmë sepse kanë vdekur pronarët e saj. Duam që të kemi një gurë dhe strukturë ku do të shkruajmë datat”, u shpreh Ylber Limani, Komisioni Kërkimor.
Në Sushevë akoma ndodhen burgu, shtabi i partizanëve dhe çetnikëve dhe shtëpia e komandantit me emrin “Vojo”. Haxhi Sherif Limani, i cili në vitin 1944 ishte vetëm 5 vjeçar sjell disa nga kujtime e tij, të përjetuara dhe të trashëguara nga dëshmitë e nënës së tij.
“Ejani se juve nuk ju prek askush. U mblodhën ejani të shkojmë se na ftojnë sepse nuk ka kush i ruan kafshët. Kur janë zgjuar në mëngjes ata i kanë kapur dhe i kanë lidhur. 73 veta gjithsej, por 35 në lagjen tonë i kanë shkatërruar. Në vitin 1947 kemi ardhur këtu në këtë fshat. 3 vite nuk ishim. Kur u kthyem, nga Kozjaki na kishin marrë shtëpitë. Një plak i tha nënës sime se në mëngjes do ta sjell një sëpatë dhe kur të arrijmë ne, t’i sulmoi dhe largoi nga këtu. Mos të kesh frikë se unë jam këtu”, Haxhi Sherif Limani, banor i Sopotit.
Sot emrat e 64 martirëve dhe dëshmorëve janë të gdhendur në memorialin e Sopotit të ndërtuar në nëntor të vitit 2008. Më i vogli 6 vjeç e më vjetri 84 vjeç. /Alsat.mk