Tre persona u arrestuan nga policia për kokainën e kapur në portin e Durrësit.
Në pranga përfunduan 57-vjeçari Petrit Demishaj, administrator i kompanisë “BanaKing” si dhe dy punonjësit e skanerit Alban Naziraj, 48 vjeç e Artur Sevdaraj i po të njëjtës moshë. Ata akuzohen për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikim kompjuterik”.
Po ashtu, u shpall në kërkim edhe presidenti i kompanisë pritëse të ngarkesës me banane, 53-vjeçari Trifon Murataj.
Nga hetimet e deritanishme, agjentët dyshojnë se katër të akuzuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar trafikimin e 33.5 kg kokainë, nga Ekuadori në drejtim të Portit të Durrësit.
Droga u zbulua si rezultat i kontrollit të kontenierit me qen antidrogë. Kjo pasi nga kontrolli me skaner nuk u konstatua prezencë lënde narkotike ndonëse hetuesit kishin informacione për kokainën.
Lënda narkotike u gjet në dy arka me banane. Ajo ishte ndarë në 31 pako, të cilat ishin mbështjellë me natriban.
Ndërkohë, pritet të kontrollohen dhe 84 kontenierë të tjerë, të cilët kanë mbërritur në port po nga Ekuadori. Ngarkesa sipas burimeve, mësohet se ishte ndalur në Portin e Maltës e më pas mbërriti në Durrës.
Kjo është hera e dytë që në ngarkesat e porositura nga kompania “BanaKing” kapet drogë.