Kryeministri Albin Kurti është përfshirë në një polemikë me gazetarët serbë, të cilët e pyetën për Asociacionin e “komunave serbe”. Kurti u ka thënë se i kanë konceptet e gabuara dhe u ka shpjeguar se nuk ka “komuna serbe”, por komuna me shumicë serbe.
Në një paraqitje para gazetarëve, gjatë qëndrimit për samit në Berlin, Kurti është “konfrontuar” me gazetarët serbë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Së pari nuk ka në Kosovë komuna serbe. Nuk ka as komuna shqiptare, as komuna serbe. Ka komuna me shumicë të popullsisë shqiptare, shumica e komunave janë të tilla. Por ka edhe komuna që janë me shumicë serbe, por nuk ka komuna serbe, nuk ka të tilla. Komunat u përkasin qytetarëve, nuk ka komuna sipas përkatësisë nacionale. Shikoni, konceptet i keni të gabuara”, u ka thënë Kurti gazetarëve serbë, transmeton Gazeta Express.
Ata i ndërhyn, duke i thënë se “kështu është sipas marrëveshjes së Brukselit”.
“Jo, jo nuk qëndron ashtu. Ndoshta në Beograd ekzistojnë dokumete të tilla. Në Prishtinë nuk ka komuna sipas përkatësisë nacionale, ka individë të përkatëissë nacionale. Nuk mund të jetë komuna serbe, mund të jetë me shumicë serbe”, u tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës u ka thënë gazetarëve serbë se Serbia nuk mund të kërkojë diçka që nuk e bën vetë, duke i marrë shembull grupet etnike pakicë në Serbi, që nuk kanë organizime të atilla, si Asociacion komunash.
“Është me rëndësi të dini se ajo marrëveshje e para 10 vjetëve nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetutese. Unë angazhohem për raporte të mira të ndërsjella në mes të Kosovës dhe Serbisë të cilat do të bazohen në reciprocitet. Nuk mund të kërkosh diçka te tjetri nëse nuk je në gjendje atë kërkesë, t’ia vendosësh vetës. Edhe në Serbi ekzistojnë komunitete të tilla. A është Serbia e gatshme të ketë Asoaciacionin e komunave me shumicë të hungarezëve, të arumunëve, boshnjakëve, myslimavënë të Sanxhakut, të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Nuk mund ta kërkosh diçka për tjetrin, nëse nuk je i gatshëm ta bësh këtë në shtëpinë tënde”, ka thënë Kurti në Berlin.
Kryeministri Kurti ka qëndruar dje në Berlin, ku, në kuadër të Samitit të Berlinit, janë nënshkruar tri marrëveshje ndërrajonale nga kryeministrat e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.