“Politika ruso-kineze zbatohet në Ballkan përmes Vuçiçit”, intelektualët malazezë: Perëndimi të mbrojë Malin e Zi, Bosnjën dhe Kosovën nga Serbia

Mediat malalaze i kanë kushtuar një artikull situatës së tensionuar në rajon.

Një grup intelektualësh malazezë kanë folur lidhur me situatën aktuale socio-politike në Ballkanin Perëndimor dhe qëndrimin e Perëndimit ndaj zhvillimeve në rajon, duke kërkuar nga Perëndimi, SHBA dhe BE, që ta mbrojnë Malin e Zi, Bosnjën e Hercegovinën dhe Kosovën nga politika ruso-kineze, që po zbatohet sipas tyre përmes Vuçiçit.

Në reagimin e intelektualëve malazezë, të cilin e transmetojnë mediat, thuhet se “është koha për të folur hapur për statusin e Ballkanit Perëndimor”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian me ose pa vetëdije po e ndihmojnë politikën ruse në rajon. Pse e bëjnë këtë është e vështirë të thuhet. Por nëse si ilustrim të situatës në Ballkanin Perëndimor do të merrnim deklaratat e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill dhe përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, për Kosovën, atëherë mund të konstatojmë se Perëndimi po ia mban anën Aleksandar Vuçiçit. Pse e bëjnë këtë ne nuk e dimë. Nëse ekziston një besim naiv se Serbia do të shkëputet nga Rusia, kjo nuk do të ndodhë kurrë. Kushdo që njeh kulturën politike serbe dhe skenën politike serbe, e di se ndryshimi i Vuçiçit do të nënkuptonte fundin e tij. E Aleksandër Vuçiçit intimisht dhe nga pikëpamja e vlerave është më afër Lukashenkos sesa me cilindo burrështetas perëndimor”, thuhet në reagimin e intelektualëve malazezë, transmeton BalkanWeb.

 

 

Më tej në reagim thuhet se “politikën e çuditshme të SHBA-ve dhe BE-së në këtë rajon po e shfrytëzojnë Rusia dhe Kina përmes Serbisë, e cila vepron si një hegjemon lokal që frenon dhe ngrin integrimin fillimisht të qytetarëve të saj, e më pas të qytetarëve të Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës. Është një ‘politikë klasike e të lëshuarit pe’, pasojat e së cilës në nivel global po i paguajnë sot ukrainasit”.

“Kjo politikë nuk është prej dje. Ajo u funksionalizua me epokën e Trumpit dhe Merkelit dhe tani po përjeton kulmin e saj. Mali i Zi ra në vitin 2020, Bosnja së fundmi (me dritanizimin e konstalacionit politik), Kosova është në radhë dhe pret Dritanin e saj. Çfarë po manifestohet? Vuçiq sillet si një “Lenin serb”, çdo lëvizje e tij politike është ideologjike. Ai beson se neutralizimi i të gjitha politikave rajonale solide shtetformuese dhe shtyllave ideologjike mbi të cilat mbështeten si shtete Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova është në fakt një parakusht për pushtimin e ideologjisë së Botës Serbe. Ideologjia e Botës Serbe nuk shfaqet me tanke si në kohën e Sllobodan Millosheviqit, ajo tani nëpërkëmb iniciativat rajonale, ekonominë, median dhe udhëheq një luftë speciale për të minuar parimet themelore përmes të cilave tri shtetet e përmendura ishin shkulura nga hegjemonia e Serbisë”.

Më tej intelektualët malazezë thonë se “platforma është e qartë – nuk ka bashkëpunim të ngushtë me Beogradin derisa Beogradi të mos e pranojë gjenocidin në Srebrenicë, ekzistencën e kombit malazez dhe shtetin e pavarur të Kosovës. Nëse vazhdohet kështu, pas disa vitesh të gjitha politikat që themeluan Malin e Zi, BeH dhe Kosovën do të margjinalizohen plotësisht dhe tehu i tyre do të topitet. Do të vijë koha e populistëve, mashtruesve, kontrabandistëve dhe liderëve lokalë, të cilët do ta kthejnë Ballkanin Perëndimor në një zorrë të trashë të politikës perëndimore dhe ruso-kineze, ku do të përfundojnë aferat e pista dhe kriminale”.

“Është e nevojshme të veprohet, sa më shpejt, me plane afatgjata. Çështja e Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës duhet të lidhen. Boshti Sarajevë-Podgoricë-Prishtinë duhet të marrë jetë, elitat duhet të lidhen dhe të fillojnë të veprojnë në planin e lobimit kulturor dhe operativ-politik. Perëndimi nuk ka çfarë të presë më, sepse duket se ata po shikojnë vetëm numrat dhe fuqinë e mundshme. Të vetëm, të gjithë jemi të pafuqishëm, së bashku jemi shumë më të fortë. E partnerë për lidhje ka edhe në Beograd, janë ato pak forca qytetare dhe liberale, të cilat Vuçiç pothuajse i mbyti sipas mënyrës së Putinit”, thuhet në reagimin e nënshkruar nga intelektualët malazezë Adnan Çirgiq, Aleksandar Radoman, Boban Batriçeviq dhe Andrej Nikolaidis.

(BalkanWeb)

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme