Gazetar: Lluka Andreev
Shkupi dhe Sofja dënuan incidentin në Ohër. Kryeministri Dimitar Kovaçevski përsëriti se emrat e klubeve ngjallin ndjenja negative te qytetarët, por u bëri thirrje të gjithëve që të sillen në mënyrë evropiane, duke kujtuar se sipas ndryshimeve në Ligjin për Shoqata, emrat do të duhet të ndryshohen. Më herët incidenti është dënuar edhe nga Ministria e Jashtme.
“Bëra thirrje që qytetarët tanë të jenë të dinjitetshëm dhe të sillen sipas mënyrës evropiane, sepse ne jemi një vend anëtar i NATO-s dhe një shtet që ka hapur negociatat me Bashkimin Evropian dhe anëtar i ardhshëm i plotë i BE-së, prandaj duhet të jemi në nivel të sjelljes së tillë”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
“Ngjarje të tilla janë krejtësisht të papranueshme, mund të rrezikojnë jetë njerëzore dhe të intensifikojnë proceset retrograde që janë në kundërshtim me integrimin evropian të vendit. U bëjmë thirrje institucioneve kompetente që të hetojnë rrethanat në të cilat kanë ndodhur këto aktivitete vandale”, thonë nga MPJ.
Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme bullgare ka thirrur ambasadoren tonë Agnesa Rusi Popovska për t’i dorëzuar notë proteste.
“Vëmë re reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, por kategorikisht nuk pranojmë që krimet e tilla të rënda të cilësohen si akt vandalizmi. Ministria e Punëve të Jashtme pret që organet kompetente në Republikën e Maqedonisë së Veriut të ndërmarrin veprime për zbulimin dhe nxjerrjen e autorëve para drejtësisë sa më shpejt të jetë e mundur”, thonë nga MPJ e Bullgarisë.
Ish-ambasadori bullgar në Shkup, Angel Dimitrov, i cili është edhe bashkëkryetar i Komisionit të Përbashkët Historik, ka komentuar ngjarjen. Sipas tij, ky është akt urrejtjeje.
“Incidenti prek marrëdhëniet dypalëshe, por jo punën e Komisionit. Ne kemi qasjen tonë shkencore”, deklaroi Angel Dimitrov, ish-ambasador i Bullgarisë.
Duke komentuar incidentin, presidenti bullgar Rumen Radev tha se Maqedonia duhet të kuptojë se rruga drejt BE-së kalon përmes njohjes së të drejtave të bullgarëve të Maqedonisë. /Alsat.mk