Ndonëse Shqipëria është vendi më bujqësor në Europë, me rreth 19% të prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), kundrejt 2% që është mesatarja e Bashkimit Europian, ajo mbledh dhe përpunon shumë pak qumësht.
Eurostat ka publikuar të dhënat vjetore mbi prodhimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij në vendet e Europës, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria. Vendi ynë arrin të mbledhë mesatarisht 100-120 mijë ton qumësht në vit.
Shtete si Irlanda, Danimarka, Holanda, Estonia renditen të parat në listë sa i përket qumështit të prodhuar për qytetar në vit, me shifra që arrijnë deri në gati 1900 kg për frymë në vit. (Shiko grafikun: prodhimi i qumështit të papërpunuar në vit)
Shqipërisë i ulet me 30% numri i gjedhëve në krahasim me 2001-n
Shqipëria ka prodhuar 114 mijë ton qumësht të papërpunuar gjatë 2021. Në raport me popullsinë prej 2.79 milionë banorë, prodhohet në 3.4 kg qumësht i papërpunuar në muaj.
Industria e përpunimit të qumështit në vend po kalon një situatë të vështirë për shkak të rritjes së kostove. Prodhuesit ankohen se ju është shtrenjtuar lënda e parë, energjia elektrike kushton më shtrenjtë, çmimi i gazit, çmimi naftës dhe materialeve paketuese është rritur çka po vështirëson çdo ditë e më shumë sektorin e përpunimit.
Faktori tjetër i rëndësishëm është rënia e blegtorisë, e ndikuar dhe nga emigracioni, që ka ulur disponueshmërinë e lëndës së parë. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i gjedhëve ka rënë me 30% nga viti 2001, duke zbritur në rreth 200 mijë në 2021-n “Problematika më e madhe është mungesa me rreth 15% e qumështit lëndë e parë në vend.
Vështirësia për të gjetur sasinë e duhur të qumështit nga fermat rrjedhimisht ka prishur ekuilibrat e çmimit. Sot çmimi me të cilin po blihet qumështi në derën e fermës e kalon çdo shtet të Europës.
Të mos harrojmë që lënda e parë qumësht është rreth 65% e kostos totale të produktit final dhe një ndryshim në këtë kosto ka ndikim shumë të madh në koston totale”, pohoi . Taulant Pupa administratori i kompanisë “Vita 2001”.
Rënia e prodhimit dhe shtrenjtimi i çmimeve nga ata që janë prodhuesit e parë të këtij produkti ka bërë që fabrikat të hasin vështirësi në gjetjen e qumështit të freskët. çka mund të përkthehet në mungesa në nënproduketet e tjera.
Këta dy faktorë kanë nxitur rritjen e ndjeshme të çmimeve të qumështit dhe nënprodukteve të tij. Sipas INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Konsumit për nëngrupin qumësht, djathë dhe vezë shënoi një rritje rekord prej 24.3% në tetor, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke qenë grupi i dytë me rritjen më të lartë, pas vajit dhe yndyrave.
Bashkimi Europian, stabilitet në prodhimin e qumështit
Situata në vendet e Europës duket më e qëndrueshme. Fermat e BE-së prodhuan rreth 161 milion ton qumësht të papërpunuar përgjatë vitit 2021 ose 0.7 milion ton më tepër se një vit më parë.
Ky stabilitet në prodhim mbështet nga prodhimi i lartë për frymë nga fermat në Irlandë me 1,888 kg/frymë, Danimarkë me 962 kg/frymë, Holandë më 879 kg/frymë në vit.
Rendimenti mesatar i qumështit për lopë në BE arriti në 7,682 kg në 2021 ndërkohë që çmimi i prodhimit të qumështit në BE u rrit ndjeshëm rreth +7,4% krahasuar me vitin 2020. Ndër nënproduktet e tjera u prodhuan 2.3 milion ton gjalpë nga 44,4 milion ton qumësht i plotë; 10.4 milion ton djathë nga 61.4 milion ton qumësht i plotë dhe 16.4 milion ton qumësht i skremuar.
Sipas Eurostat, Gjermania prodhon sasinë më të lartë të qumështit, gjalpit, kosit dhe djathit krahasimisht me çdo shtet tjetër anëtar. Kjo e fundit së bashku me Spanjën, Francën, Italinë dhe Poloninë përbëjnë rreth dy të tretat e qumështit të prodhuar në BE në vitin 2021.
Ndërkohë që Holanda ishte prodhuesi i dytë më i madh i produkteve të kosit dhe i katërti më i madhi i djathit, ndërsa Irlanda ishte prodhuesi i tretë më i madh i gjalpit dhe e pesta më e madhe e kosit./MONITOR