Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski tha se në vitin 2015 ndonjëri nga zyrtarët ka përdorur të drejtën e diskrecionit për të lejuar që shumë studentë, në mesin e të cilëve edhe djali i kryeparlamentarit Talat Xhaferi, të kalojnë provimin e jurisprudencës pa plotësuar kushtet e nevojshme për këtë. Ai megjithatë nuk përmendi emra dhe nuk drejtoi gishtin nga askush konkretisht edhe pse një pjesë e madhe e këtyre studentëve potencialisht do të jenë gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm të vendit.
“E gjithë situata duhet të kontrollohet, ashtu siç mësova nga mediet, nuk bëhet fjalë për një rast, por për ushtrimin e të drejtës së diskrecionit nga një funksionar i emëruar. Definitivisht dikush e ka shfrytëzuar të drejtën e diskrecionit dhe pikërisht për këto arsye ligji është ndryshuar, që të mos ekzistojë asnjë mundësi në të ardhmen. Ja unë 10 muaj jam ministër, as nuk e kam menduar të lejoj dikë që para kohe të jep provimin e jurisprudencës”, tha Nikola Tupançevski./Alsat.mk