Gazetare: Fatlume Dervishi
Emrat të cilët fliten si ministra të ardhshëm të Aleancës për Shqiptarët në formatimin e qeverisë nuk janë të saktë, thotë kreu i kësaj partie Arben Taravari. Ai këmbëngul se nuk ka akoma ftesë nga kryeministri dhe kur të ketë, do të ketë dhe grup negociator, për shkak se për momentin partia nuk ka kryetar të zgjedhur në kongres.
“Kur të fillojmë negociatat ne do t’ju informojmë. Në qoftë se fillojmë… Për momentin nuk ka. Unë e di se ka spekulime nëpër portale, nëpër media, jemi temë diskutimi, dhe kjo është mirë për Aleancën për Shqiptarët kur bisedohet për ne, por s’ka asgjë konkrete. Unë e di se ka edhe shtatë-tetë ministra të cilët përmenden me emër si ministra të ASH-së por me plot përgjegjësi them se asgjë s’ka të saktë prej saj”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Zërat për zgjerimin eventual të shumicës nuk i kanë hedhur poshtë as kryeministri Kovaçevski dhe as kreu i ASH-së Taravari. Megjithatë, ata thonë se takimi i zhvilluar kohë më parë ishte mbi parimet e eurointegrimit dhe të luftës kundër krimit dhe korrupsionit.
Me idenë e zgjerimit të shumicës nuk janë të kënaqur partnerët më të vegjël të koalicionit. Kryetari i Lidhjes Demokratike Pavle Trajanov tha se shumica është stabile me 64 deputetë dhe se me përfshirjen e një partie tjetër shqiptare shkelet përfaqësimi i drejtë etnik.
“Në përgjithësi mendoj se nuk ka nevojë të zgjerohet shumica parlamentare sepse 64 deputetë janë një shumicë stabile që qeveria të funksionojë me kapacitet të plotë. Mendoj se ideja për zgjerimin e shumicës me Aleancën erdhi nga BDI-ja, nga z. Ali Ahmeti, që të amortizohet kriza e brendshme në BDI dhe ajo ide supozoj se është pranuar nga kryeministri Kovaçevski”, tha Pavlle Trajanov, kryetar i Lidhjes Demokratike.
Prej javësh flitet se negociatat zhvillohen për ndarjen e disa resorëve mes partnerëve të koalicionit me Aleancën për Shqiptarët por zërat janë mohuar nga të gjitha palët e përfshira. /Alsat.mk