Kjo është pianistja virtuoze që ngriti në këmbë gjithë Meksikën, kërkoi njohjen e Kosovës

Anila Aliu është pianistja nga Gjilani që mori pjesë në shumë festivale, koncerte, recitale dhe evenimente të ndryshme, jo vetëm në Kosovë por në gjithë botën.

Për Anilën, piano është jeta dhe kalon mesatarisht 8 orë në ditë duke u marrë me të. Vitin e kaluar ajo ka fituar çmimin e parë në Garën Ndërkombëtare të Muzikës Klasike në Nju Jork. Prandaj, ishte e ftuar të premten në emisionin “LIBERO” dhe rrëfeu për interpretimin e saj në një nga sallat më prestigjioze në botë (Carnegie Hall), por edhe për performancën e saj në Meksikë.

Aliu theksoi se përkundër vështirësive që kaloi për të shkuar në Meksikë me pasaportën e Kosovës (duke qenë se Meksika nuk e njeh Kosovën si shtet), eksperienca e saj atje ishte e jashtëzakonshme, madje Aliu mbajti edhe një fjalim duke kërkuar nga shteti Meksikës që ta njeh Kosovën si shtet.

“…Është një prej koncerteve më të mëdha me afër 1000 spektatorë… E kam mbajtur një fjalim të shkurtër dhe i kam treguar publikut meksikanë se unë vi nga një shtet që ju nuk e njihni. E mbajta fjalimin në gjuhën spanjolle sepse mendova se më lehtë do të depërtoja dhe do të prekë më thellë te publiku. Unë gjuhën spanjolle nuk e flas mirëpo vendosa që ta përkthej dhe ta mësoj përmendësh. Ky fjalim bëri shumë bujë…”, deklaroi Aliu.

Gjithashtu, ajo tregoi edhe për koncertin e mbajtur në Nju Jork dhe për çmimin që e ka fituar atje.

“…Pas shumë viteve mundi dhe vendosmërie, arrita të realizoj ëndrrën time dhe të performojë në sallën më prestigjioze në botë, u shpalla edhe fituese e çmimit të parë, është një moment që unë e kam ëndërruar…”, potencoi ajo.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme