Librat e vjetër matin pulsin e lexuesve dhe koleksionuesve

Pa moto, pa bujë e me organizim modest, Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur është kthyer në bibliotekën e hapur të qytetit. Pos thirrjes për lexim – promovon edhe një qasje tjetër për librin tek ata që ia njohin vlerën e vërtetë, kërkojnë tituj të rrallë apo i koleksionojnë ato

Në një pjesë të sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, vizitorët e kalimtarët mund ta ndiejnë aromën e librave të vjetër. Aty është hapur Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur. Të premten ka ardhur me edicionin e tretë dhe një ngjarje si kjo – pos thirrjes për lexim – promovon edhe një qasje tjetër për librin tek ata që ia njohin vlerën e vërtetë, kërkojnë tituj të rrallë, i koleksionojnë ato.

Ky panair vjen gjashtë muaj pas edicionit të 22-të të Panairit të Librit, kur jo pak botues kishin konstatuar edhe efektet e krizës ekonomike. Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, do të jetë i hapur deri të dielën. Pa moto, pa bujë e me organizim modest, Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur është kthyer në bibliotekën e hapur të qytetit. Posterë të mbështetur për tendë prezantojnë programin për tri ditë të aktivitetit të panairit. Nën një strehë, pa ndarje në shtande, libra pafund janë ekspozuar në tavolina në të dyja anët e hapësirës. Me pamjet e kopertinave të shlyera a me faqet e thyera disa herë që flasin për shumëpërdorshmërinë e tyre, rikthejnë në mendje mini-bibliotekat shtëpiake me librat e trashëguar nga brezat e mëparshëm. Në këtë panair janë paraqitur rreth dy mijë tituj të librave të vjetër, të rrallë dhe të përdorur nga fusha e letërsisë, gjuhësisë, historisë, etnologjisë, antropologjisë, filozofisë, eseistikes, filmit e teatrit.

Derisa hyrje-daljet në tendë vazhdonin, jashtë saj kanë qëndruar të ekspozuara kornizat me imazhet e dokumenteve arkivore në ekspozitën e organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë. Bashkë me librat e ofruar për shitje “Të ndarë, por të pashkëputur” shpalos dokumente të rëndësishme historike, si ato të nënshkrimeve të delegatëve të Kuvendit të Vlorës me rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë që shoqërohen me fotografitë e personaliteteve të Ismail Qemalit, Abdi Toptani, Petro Pogas, Luigj Gurakuqit, Mid’hat Frashëri e të tjerë. Po ashtu, paraqiten pamje nga festimet e përvjetorëve të pavarësisë në zona të ndryshme si në Kukës, në Tropojë, Gjirokastër, Tepelenë e Tiranë me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Përballë tyre qëndrojnë të ekspozuara dokumentet arkivore të Mitrush Kutelit. Fotografi, kartolinat e lajmërimeve të dërguara për Poradecin e dokumente që shpalosin figurën e Kutelit si paraqitja e qëndrimeve të tij në letrat dërguar krerëve shtetërorë gjatë vitit 1964, e njoftojnë publikun me personalitetin e një prej figurave të shquara në krijimtarinë letrare. Kështu, aty janë edhe dorëshkrimet e poezive “Balta shqipëtare”, “Natë vjeshte”, “S’ka se qysh”, e “Kënga e biçikletës”, por edhe veprimtarinë e tij si studiues i veprave të autorëve tjerë.

 Berat Dakaj, bashkorganizator i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, ka vlerësuar se do të ishte mirë që panairi si ky të mbahet edhe në qytetet tjera të Kosovës, ku do të përfshiheshin jo vetëm shitës e koleksionues nga Kosova, por edhe më gjerë. Sipas tij, më së shumti kërkohen librat e autorëve të Rilindjes, ani pse jo gjithmonë janë të kompletuara me pjesët e veprave.

“Libri jo gjithmonë është libër i lirë, ka disa që janë, por ka edhe të tjerë të viteve të ’20 në gjuhën shqipe që kushtojnë shumë më shumë. Libri i vjetër ka vështirësi të gjendet, të ruhet, të merret, të shpërndahet. Deri më tash, ka shumë interes, hapja zyrtare është bërë në orën 11:00, por prej orës tetë e gjysmë është shfaqur interesimi për blerje”, ka thënë Dakaj.

Image
Krahas Panairit, është hapur edhe ekspozita “Të ndarë por të pashkëputur” me imazhe dokumentesh arkivore, e organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë

Panairi kishte filluar me edicionin e saj në vitin 2020 që ishte mbajtur në korridorin e Institutin Albanologjik, ndërsa një vit më pas lokacioni i tij kishte qenë hapësira para Teatrit Kombëtar.

Shitësit e koleksionuesit e librave kanë thënë se ka interesim për Panairin te qytetarët, por jo edhe shitje të librave.

“Interesim ka pasur. Unë për herë të parë shes në Panair, por ka pak të interesuar. Shumica vijnë vetëm për të parë, por ka edhe adhurues, më të paktë. Librat psikologjik shiten më shumë. Ka nga ata që duan t’i blejnë vetëm për t’i koleksionuar librat e vjetër”, është shprehur Ismail Prapashtica.

Librat në këtë Panair vlerësohen si të veçantë më së shumti për vjetërsinë e tyre për shkak të botimeve unike. Shitësi 71-vjeçar i librave, Ragip Mexhuani, i ka vlerësuar këta libra edhe si më me vlerë.

“Librat e vjetër janë më shkencorë, më realë, tash gjithkush po shkruan dhe po boton. Librat e vjetër kanë më shumë vlerë, unë rregullisht marr pjesë në panaire, madje unë shes libra që nga vitet e ‘70. Dikur ka qenë interesimi shumë më i madh ndërsa sot kam shitur vetëm tre libra. Zakonisht pak blihet libri, pak lexohet”, ka thënë Mexhuani derisa ka shtuar se librat janë shitur edhe në rrethana më të vështira kur ndalohej libri shqip.

Nexhdet Xharra, shitës nga Shqipëria, ka vlerësuar se kërkesat për libra të vjetër atje janë shumë më të mëdha.

”Kam shitur edhe në Tiranë, atje ka shumë më shumë shitje. Kultura e leximit është shumë më e madhe atje, këtu ndikon edhe gjendja ekonomike e faktorë të tjerë”, ka vlerësuar ai.

Albert Mirdita, ekonomist nga Prishtina, e ka parë Panairin si reflektim sesa lexon shoqëria sot derisa ka thënë se libri sot ka çmim të lartë për lexuesin e për këtë duhet të intervenojë shteti.

“Panairi është i qëlluar pasi shihet sa lexohet sot, por nuk është faji te popullata, por tek institucionet tona që nuk i japin rëndësi. Duhet të intervenojë ministria që të rinjve t’ua ngulitë që i vetmi ushtrim i trurit është leximi. Për çmime, është kritikë pasi çmimet janë të ekzagjeruara. Zakonisht librat e vjetër janë të shtrenjtë për shkak se nuk mund të gjenden, kurse prej këtu shumicën i kam në bibliotekën shtëpiake”, ka thënë ai.

Ramadan Berisha, po ashtu ekonomist me profesion, e ka vlerësuar Panairin e librit fizik si shumë të qëlluar në kohën kur, sipas tij, çdoherë po promovohen versionet elektronike.

“Panairi për mua është puna më e qëlluar në Kosovë. Libri është bukuria më e madhe e trurit, e shtëpisë. Qeveria i reklamon këto sheshe, por librit më së shumti duhet t’i jepet vëmendje. Libri është shoku më i mirë i jetës. Blej libra shumë shpesh, e kam shtëpinë si bibliotekë. Librat nuk ishin shtrenjtë, janë libra me vlera shqiptare”, ka thënë Berisha nga Prishtina, i cili ka blerë tre libra në këtë panair.

Ditën e premte gjithashtu është përuruar libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare” si përmbledhje me kumtesa e sesionit të mbajtur për UÇK-në në Institutin Albanologjik të Prishtinës me intelektualë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Programi i panairit vazhdon të shtunën me tryezën “Drama shqipe” në Fakultetin e Arteve me të ftuar profesorët Haqif Mulliqi dhe Emin Emini. Pasdite do të organizohet ora poetike “Dritë mbi plagë” në hollin ne Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Po këtu, do të organizohet tryezë për romanin “Eskadronët e vdekjes” të autorit Bardhyl Mahmuti, ku shkrimtarë, kritikë e ish-të burgosur në Burgun e Dubravës, flasin për librin.

Në ditën e fundit do të organizohet punëtoria “Shërimi i materialit arkivor” nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës. Aktivitetet mbyllen me tryezën me temë “Sfidat e botuesve” me të ftuar botues nga Kosova.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme