Në fillim të vitit të ri kalendarik, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ofruar mundësi të re për avancimin në karrierë të mësimdhënësve të shkollave fillore. Në ueb portalin www.karierenrazvoj.mon.gov.mk është publikuar thirrje e përsëritur për aplikim për mësimdhënësit e shkollave fillore për avancim në titullin “mentor”, transmeton Portalb.mk.
“Në thirrjen mund të paraqitet mësimdhënësi i shkollës fillore i cili i plotëson kushtet në përputhje me Ligjin për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesional në shkollat fillore dhe të mesme, gjegjësisht të ketë së paku 7 vjet përvojë pune si mësimdhënës, të jetë i punësuar me kohë të pacaktuar dhe t‘i plotëson standardet profesionale për mësimdhënës – mentor”, thuhet në njoftimin e MASh-it.
Në vetë thirrjen gjendet lista e komunave dhe shkollave të cilave i referohet e njëjta.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës u bën thirrje të gjithë mësimdhënësve nga shkollat fillore publike të shënuara në thirrjen, nëse i plotësojnë kushtet, të paraqesin aplikimin e tyre brenda afatit të përcaktuar, për të ushtruar të drejtën e përcaktuar me ligj për avancim në titullin “ mentor”, ndërsa me këtë edhe të sigurojnë të ardhura personale më të larta”, thuhet në kumtesën e MASh-it.