Është e nevojshme kritika dhe autokritika apo nuk është?

Dr. Adnan Tekşen

Fjala politikë e ka prejardhjen nga greqishtja e lashtë. Do të thotë rruga, metoda që ndiqet për administrimin e polisit, domethënë të qytet-shtetit. Ka edhe një kuptim metaforik, si metodë dhe qasje për ta bindur tjetrin. Ky kuptim shpreh një përpjekje për kompromis e marrëveshje.

Por mos u shqetësoni: Nuk kam ndërmend t’ju lodh me gërmime etimologjike e enciklopedizma.

Sot politika është fenomen që ka përfshirë çdo hapësirë të jetës.

Në sistemet shumëpartiake, politika si koncept trajtohet rreth partive ose palëve.

Për shoqëri si e jona që nuk e menaxhojnë dot modernizimin e tyre përmes kulturës së kompromisit, politika përbën një fushë konflikti. Sepse të gjithë i shohin të gjithë të tjerët si rivalë dhe kërcënim për mënyrën e tyre të jetesës dhe lirinë e tyre të shprehjes. Prandaj dhe gjuha politike sot mund të kthehet lehtësisht në gjuhë konflikti e ndasie.

Në regjimet ku hapësira e lirë civile tkurret, politika mund të bëhet mjeti kryesor i pushtetit, prandaj dhe përplasja përqendrohet në politikë. Rreth politikës marrin formë dhe gjejnë shprehje ideologjitë. Qeverisja është mjaft e dëshiruar, edhe për ndarje paste përmes politikës, edhe si mjet sundimi mbi tjetrin.

Rreth këtij boshti pushteti shfaqen edhe marrëdhëniet e elitave të pushtetit me regjimin dhe me njëri-tjetrin. Ushtarakët, tregtarët, media, bota e artit, bota akademike, bota e mendimit, bota e sportit e madje organizatat e shoqërisë civile si element i domosdoshëm i demokracisë pjesëmarrëse, janë ose ndihen të detyruar të marrin një pozicion me marrëdhëniet e tyre me këtë bosht pushteti. Në një proces të tillë, marrëdhëniet e elitave drejtuese me elitat e tjera do s’do kthehen në mjet për përforcimin e pushtetit.

Ngërçi më i madh i një mjedisi të tillë është vështirësia në hapjen e drynit të sistemit. Mjediset ku mendimi nuk merr dot frymë lirisht, priren të marrin dy lloj drejtimesh të gabuara. Në këto rrethana, kritika përballet vazhdimisht me shuplakën e akuzës për tradhti e bashkëpunim me fuqitë e jashtme. Të tilla akuza dhe qëndrime të vrazhda e shtyjnë kritikën nga stili cilësor e konstruktiv në një shtrat idhnak e të ulët. Kurse kritikat që godasin nën brez, energjinë potenciale që mund të përfshihet në prodhimin social, e kthejnë në mjet agjitacioni e provokimi. Në këtë pikë biem pre e dilemës vicioze nëse pula del nga veza apo veza nga pula.

Por njeriu që mendon është njeri që arrin të vështrojë në mënyrë kritike. Në këtë rreth vizion bëhet e pamundur të dallohet antagonisti i paepur nga kritiku. Historia e vendit tonë është e mbushur me pasojat e padëshirueshme të mosbërjes së këtij dallimi. Kjo pa dallim periudhe.

Hapësira politike është veçanërisht një hapësirë ku kjo mospërfillje kthehet në mizori. Në një vend ku njerëzit e përkufizojnë dhe i qasen njëri-tjetrit sipas pozicioneve politike, bëhet thuajse e pamundur të realizohet një pakt që të mund ta përvetësojë kulturën e bashkëjetesës dhe pasoja më e madhe e kësaj është, natyrisht, shpërdorimi i energjisë për t’u ngrënë me njëri-tjetrin në vend që ta shfrytëzojmë për të mirën e vendit.

Në të situata nuk ka nevojë për rreziqe e armiq të jashtëm. Sa më bujarisht e prodhojmë këtë armiqësi kundër njëri-tjetrit, aq më të lehtë e kemi të prodhojmë edhe armiq. Në ligjërimin dhe perceptimin e çdo periudhe armiqtë e tradhtitë gjithmonë kanë fluturuar në ajër. Edhe mendimi kritik e merr me bollëk pjesën e vet nga ky ligjërim dhe fillon të belbëzojë.

Ky është një mjedis pjellor për skenaristët e perandorisë së frikës që të krijojnë gjithë dëshirë skenarë të pasur e të larmishëm për zotërinjtë e tyre. Është një atmosferë ku ambiciozët e paaftë mund të fshihen lehtësisht në ballon me maska të organizuar nën patronazhin politik.

Në një mjedis të tillë politikani mund të mashtrohet lehtësisht. Me hir apo me pahir shtrohet koka nën kurorë, vështirë ta kuptosh. Por ajo që e zhvillon një vend e një shoqëri është mendimi kritik. Pa mendim kritik politika nuk përtërihet, shkenca nuk zhvillohet, institucionet akademike zënë ndryshk dhe ndryshimi social kthehet në rrënim social. Intelektualit apo akademikut nuk i takon të jetë antagonist i paepur e i papërgjegjshëm, dakord, por edhe lajkatar me rrogë nuk mund të jetë. Ata që bëhen të tillë, pikërisht ata janë tradhtarët e kombit, të vendit e të shtetit. Sepse përgjegjësia e tyre është më e madhe.

Drejtuesi e ka për detyrë ta përgatisë mjedisin për mendimin kritik, për mendimin hulumtues. Të dijë të përfitojë nga mendimi kritik e jo vetëm në kuptimin politik, por në çdo aspekt. Madje, nëse mendimi kritik mungon, duhet ta nxisë atë, ta mbështesë.

Një vend nuk e dobësojnë dot vetëm fuqitë e huaja, por edhe rrethanat ku të vërtetat nuk thuhen, ku pikëpamjet e kundërta nuk puqen dot në një mjedisin e arsyes dhe ku pushteti nuk e konsideron kritikën si një dinamikë përmes së cilës mund të përtërihet.

Këtë e them pa bërë dallim mes asnjë periudhe. Politika jonë nuk e ka arritur kurrë këtë pjekuri. Në çdo periudhë çmimin e kësaj e kanë paguar shtresa të caktuara dhe me këtë qasje do të vazhdojnë ta paguajnë.

Më e keqja është qëndrimi i elitave të pushtetit që i përmenda më lart si dhe temenatë që akademikët e intelektualët i bëjnë këtij qëndrimi.

Sidomos kritikat ndaj partive politike në pushtet bëjnë që ligjërimit të tradhtisë t’i bjerë pazari, çka i thellon më tej linjat tektonike midis shtresave të shoqërisë.

Jam i bindur se midis lirisë së shprehjes dhe përparimit në kërkim-zhvillim, zhvillimeve shkencore, numrit të patentave dhe aftësive për krijimin e markave, ka një korrelacion të madh.

Brezi im po jeton vitet e fundit. Gjithnjë kemi jetuar me një mall e shpresë dhe na pikon në zemër fakti që në fund të jetës po përmallohemi për një mjedis ku të marrë frymë mendimi kritik.

Shpresoj që atë që nuk e pamë dot ne, ta shohin nipërit tanë.

Por ju o opozitarë të pushtetit aktual, mos i fërkoni duart. I njëjti mall jemi të gjithë. Frymojmë një atmosferë ku nevoja për kritikë garon me nevojën për autokritikë.

Si bij të një qytetërimi që ka arritur t’i mbajë bashkuar aq shumë popuj të ndryshëm, që ka realizuar një moderim dhe sintezë kulturore nga Azia Qendrore deri në Ballkan, sa shpejt e harruam vetëbesimin, dashamirësinë për tjetrin, vlerësimin e dallimeve si pasuri! Sa shpejt mllefosemi! Sa shpejt ia kërcëllojmë dhëmbët njëri-tjetrit!

Sa shpejt e braktisëm rrugën e mesme! Sa shpejt biem pre e joshjes së ekstremizmave dhe të përgjithësimeve të lehta!

Çfarë ka ndodhur me ne?

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme