Besimtarët e krishterë festuan Lindjen e Krishtit

Gazetare: Fatlume Dervishi

Besimtarët e krishterë ortodoks festojnë sot lindjen e Krishtit. Në të gjitha tempujt kishtarë të Kishës Ortodokse të Maqedonisë u mbajtë liturgji fetare por kryesorja ishte ajo e Shën Vasilit të Madh, në Kishën Shën Klimenti i Ohrit, nga ipeshkvi i Ohrit dhe i Maqedonisë z.z. Stefani.

Presidenti Stevo Pendarovski, kreu i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski dërguan mesazhe urimi për paqe dhe begati.

“Le të vendoset drita e Krishtlindjeve në shtëpitë tona dhe të sjellë begati për mbarë shoqërinë. Të respektojmë njëri-tjetrin, të jemi solidarë dhe të mbrojmë atdheun tonë”, deklaroi Stevo Pendarovski, President.

“Krishtlindja është edhe një mundësi të ndjehen përqafimet e ngrohta, të shihen buzëqeshje të gjera dhe të dëgjohen mendime të bukura dhe fisnike të respektit të ndërsjellë, mirëkuptimit, ndjesisë dhe solidaritetit”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

“Festa e madhe e krishterë e Krishtlindjes dërgon mesazhin e bashkimit dhe unitetit. Vetëm gëzimi i përbashkët është gëzim dhe vetëm lumturia e përbashkët është lumturi, prandaj të bashkuar, me hapa vendimtarë, të vazhdojmë rrugën drejt së mirës së përbashkët”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kreu i opozitës Hristijan Mickoski dërgoi mesazhin e unitetit por duke thënë që ai nuk vlen dhe për ndryshimet kushtetuese.

“Ne jemi pak popull, jemi shtet i vogël dhe duhet të respektohemi. Vetëm me unitet dhe me respekt do të arrijmë te qëllimi ynë dhe ai është që të mos na ndodhin gjëra të pahijshme, të mos na zbrazet shteti, të rinjtë të mbeten këtu, shteti të zhvillohet. Në kontekst të bashkimit, a do të pranoni ndryshime kushtetuese? Ai nuk është bashkim, është tradhti”, theksoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Urim dërgoi edhe kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska.
“Shpresoj se do të jetë një vit në të cilin do ta ndihmojmë njëri-tjetrin, do të jemi solidarë, do të jemi humanë dhe do të japim kontributin tonë që Maqedonia të jetë një vend më i mirë për të jetuar”, tha Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.

Kjo festë është gjenezë e të gjitha festave kishtare, për shkak se me lindjen e Krishtit llogaritet edhe fillimi i erës së re. Në fund të dhjetorit, Patriarku Ekumenik Bartolomeu botoi letrën e Krishtlindjes në gjuhën maqedonase për herë të parë në histori, pasi më 9 maj të vitit të kaluar Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike, i kryesuar nga Patriarku Bartolomeu, vendosi të heqë skizmën e gjatë që i është imponuar Ipeshkvisë së lashtë të Ohrit, gjegjësisht KOM-it, duke e njohur hierarkinë kishtare të ipeshkvit Stefan si kanonike dhe të vlefshme në botën panortodokse dhe duke vendosur bashkësi kanonike e liturgjike me të. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme