Gazetar: Lluka Andreev
Gjatë vizitës së tij në Shkup të mërkurën, këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Shollet pritet të riafirmojë mbështetjen e SHBA-ve për vendin. Ambasadorja amerikane, Angela Ageler, bën me dije se Shollet do të vazhdojë diskutimin tashmë të nisur me autoritetet vendase për disa tema, përfshirë luftën kundër korrupsionit. Së fundmi, në një video-bisedë me kryeministrin Kovaçevski në mes të dhjetorit, të dy folën për energjinë, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe procesin e reformave në rrugën drejt BE-së.
“Ai do të diskutojë për prioritetet tona të përbashkëta. Nëse e shikoni intervistën e tij të fundit, ai foli për disa nga ato prioritete, përfshirë luftën kundër korrupsionit, dhe kjo mbetet një prioritet nga Uashingtoni, dhe ai do të ngrejë çështje të tjera në vizitën e tij të shkurtër”, deklaroi Angela Ageler – ambasadore e SHBA-së.
Vizita e Shollet planifikohej të bëhej në mes të dhjetorit, por ajo u anulua për shkak të testit të tij pozitiv për Kovid. Periudha e vizitës përkoi me informacionin se në Shkup ishte i pranishëm një ekip hetuesish amerikanë, për të cilët presidenti Pendarovski nuk e përjashtoi mundësinë se kanë punuar në përcaktimin e sanksioneve ndaj individëve nga vendi, përkatësisht në përpilimin e të ashtuquajturës “lista e zezë”.
Ndryshe, Ageler theksoi se Shollet është i përkushtuar për sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Pra, përderisa lufta kundër korrupsionit pritet të jetë në fokus të vizitës në Shkup, stabiliteti dhe normalizimi i marrëdhënieve ndoshta do të jetë çështja kryesore në kuadër të mini-turit ballkanik në Prishtinë dhe Beograd. Pikërisht këtë pyetje ai e ka adresuar në intervistën e tij të fundit për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.
“Para së gjithash, është e rëndësishme që kriza të mos përsëritet. Shumë nga energjia jonë është investuar në javët e fundit për të parandaluar, që kriza të përkeqësohet dhe të përshkallëzohet në diçka që askush nuk dëshiron ta shohë, e që është dhuna. Në vend të kësaj, energjia diplomatike duhet të investohet në bisedimet për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë, të ardhmen e propozimit të normalizimit të propozuar nga Bashkimi Evropian, që i ka rrënjët në njohjen reciproke”, u shpreh Derek Shollet – këshilltar në Departamentin e Shtetit.
Sipas njoftimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Shollet do të vijë në Shkup, me një delegacion më të gjerë qeveritar. /Alsat.mk