Puna për Enciklopedinë Shqiptare pritet të nisë zyrtarisht këtë mesmuaji nga Akademia e Shkencave. Më 16 janar do të zgjidhen drejtuesit e redaksive dhe do të bëhet një plan pune tre mujor. Sekretari shkencor i Akademisë, Shaban Sinani sqaron për “News24” procesin.
“Redaksia qëndrore konstituohet me datë 16. Bëhet zgjedhja e kryeredaktorit dhe zëvendëskryeredaktorit, hidhte më pas hapi tjetër, krijimi i dy redaksive vendore, në Tiranë dhe Prishtinë dhe një redaksie të vogël në Shkup ose Tetovë. Tani niset nga puna për të ngritur të gjitha strukturat redaksionale të një enciklopedie. Një kriter i vetëm është: çfarë përfaqëson”, thotë Sinani.
Enciklopedia do të ketë 10 vëllime dhe secili vëllim shkon në rreth 1000 faqe. Por cilat janë kriteret përzgjedhëse dhe a kanë institucionet shkencore shqiptare, 2000 studiues për përgatitjen e enciklopedisë?
“Tani bëhet fjalë jo vetëm për fuqinë intelektuale të Shqipërisë, por edhe të Kosovës, shqiptarëve kudo që janë, të diasporës. Kam parasysh edhe ata që kanë punuar me fjalorin enciklopedik, që mund të mos jenë gjallë por zërat janë hartuar mirë prej tyre. Redaksitë e fushave janë ndërtuar mbi bazën e termave të disiplinës. Duhet të jenë rreth 30 mbase dhe secila redaksi duhet të ketë autoritetin e vet duke filluar prej propozimit të leksikonit, emërtesës. Do ketë artikuj të mëdhenj, të mesëm, të vegjël dhe artikuj përmbledhës”, tha Sinani.
Në konferencën prezantuese, Akademia e Shqipërisë dhe e Kosovës, theksuan se qasja e tyre do të jetë ndryshe nga polemikat që kanë krijuar enciklopeditë e vendeve fqinje. Ndërkaq, një vendim duhet marrë për trajtimin e figurave të debatuara ose pretenduara edhe nga fqinjët, sikundër, edhe për trajtimin e zonave si Çamëria, ku edhe vetë termi nxit debat.
“Ky problem është hapur për tu diskutuar. Si do të veprohet me termat dhe nuk është fjala vetëm për Çamërinë. Nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të vihet emri siç njihet në botë dhe emri siç e njohin shqiptarët. Ne nuk duam të ndërtojmë mure, duam të ndërtojmë ura, për këtë arsye do të vihet emri historik apo emri aloglot, emri në gjuhën e tjetrit. Kështu do të ndodhe edhe me Çamërinë. Qëndrimi kritik ndaj çfarë është thënë për shqiptarët prej të tjerëve, do të jetë duke konfirmuar të vërtetën tonë, pra ne pohojmë se çfarë jemi”, pohoi sekretari Shkencor i Akademisë, Shaban Sinani.
Sinani thotë se nuk përjashtohen as albanologët e huaj, sidomos në rastet kur monografitë e tyre janë shteruese për çështje të caktuara, ndërsa sjell si shembull, punën e Milan Shuflaj për shqiptarët.