Deklarata e Përbashkët e partive Shqiptare, thuajse nuk është realizuar aspak..

Gazetar: Mefail Ismaili

Pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare të nënshkruar në Tiranë në dhjetor të vitit 2016 vazhdon të mbetet e parealizuar. Madje, këtë deklaratë s’mund ta gjesh as edhe në uebfaqet e partive shqiptare të cilat u zotuan se do ta zbatonin atë. Nga pikat që përmban Deklarata mund të thuhet se vetëm paragrafi i dytë i pikës së parë është realizuar përgjysmë, në të cilin kërkohet që gjuha shqipe në Kushtetutë të jetë zyrtare. Por Kushtetuta ende i referohet gjuhës shqipe si 20%.

Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se “gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë” – Deklarata e partive politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë.

Nga deklarata është krijuar vetëm Ministria për Sistem Politik por synimet e saj lënë për të dëshiruar. Edhe vetë organizimi i tryezave të partive shqiptare u shndërrua në mollë sherri mes partive për shkak të bojkoteve. Të paprekura për realizim mbetën ato që i kushtohen drejtpërdrejtë mirëqenies së qytetarëve shqiptarë dhe vendosjes së tyre si të barabartë në vend. Ndër këto pika janë:

  • Realizimi i përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, inteligjencës dhe të drejtësisë.
  • Zbardhja e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare.
  • Marrja e masave afirmative për të siguruar financimin e institucioneve kulturore shqiptare në nivel vendor dhe qendror.

Analisti Arsim Sinani, thotë se partitë shqiptare duhet të mbajnë përgjegjësi për dështimin e Deklaratës së përbashkët.

“Më vjen keq që të them se 80% e këtij programi nuk është realizuar dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi se pse shqiptarët e Maqedonisë janë në këtë gjendje të mjerë politike, kulturore e kështu me radhë”, u shpreh Arsim Sinani, analist.

Duke u nisur nga moszbatimi i deklaratës së përbashkët dhe jopërgjegjësia e partive politike shqiptare, Sinani shton se edhe takimi i disa ditëve më parë në Tiranë, më tepër ishte një shou mediatik i paguar.

“Unë do t’i referohem deklaratës së nënshkruar: Partitë politike shqiptare në Maqedoni të Veriut do të duhet që këtë program ta vendosin në zbatim, por unë jam skeptik sepse më tepër ky ishte një show mediatik për të ruajtur pozicionin e grupit të ajvarit brenda BDI-së së përfaqësuar nga Artan Grubi sesa për të realizuar objektivat politike të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.”, shtoi Arsim Sinani, analist. /Alsat.mk 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme