Gazetare: Fatlume Dervishi
Alternativa e Afrim Gashit, pavarësisht se kryeministri nuk e ka hapur në bisedime me të çështjen e zgjerimit të koalicionit, i dërgon mesazh të qartë Kovaçevskit, Taravarit por edhe Ali Ahmetit. Sipas Alternativës, është BDI-ja ajo që e ka problemin e përçarjes, dhe për këtë duhet të jetë ajo që t’i bëjë vend anëtarit të ri potencial të koalicionit, në rast të zgjerimit të tij. Nga ana tjetër, Alternativa beson se ka të njëjtën peshë të rëndësishme sikurse 12 muaj më parë kur shpëtoi qeverinë dhe mundësoi bisedimet me BE-në.
“Alternativa nuk ka nevojë të negociojë me Aleancën. Është e qartë se roli i tyre për momentin është amortizimi i përçarjes në BDI. Është zgjedhje e tyre. Megjithatë, është e logjikshme që ai i cili ka hall, të jetë i gatshëm të kompensojë duke liruar një pjesë të resorëve që udhëheq aktualisht… Njëkohësisht, nuk e pranojmë tezën se për shkak se Alternativa ka më pak deputetë sesa Aleanca, duhet të paguaj çmim politik me lëshime kadrovike”, reaguan nga Alternativa.
Nga Alternativa i dërgojnë mesazh gjithashtu Kovaçevskit se “Nëse marrëveshja politike me Alternativën nuk respektohet deri në fund, pse do të besonte kushdo tjetër se ia vlen të bëhet partner me ata që nuk i përmbushin obligimet?”. Këtë sinjal Alternativa ia dërgon edhe Taravarit. Nga ana tjetër, nga BDI-ja e Ahmetit që dy muajt e fundit u quajt si iniciatore e zgjerimit të qeverisë me Aleancën, nuk ka përgjigje as për negociatat dhe as për postet që kjo parti është e gatshme të lëshojë në shkëmbim të këtij zgjerimi./Alsat.mk