Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se ndihma për komunat e prekura nga vërshimet nuk do të mungojë për asnjë moment, por sipas tij, krahas vlerësimeve të dëmeve duhet të bëhet dhe rivlerësim i sjelljes karshi mjedisit dhe natyrës.
Kurti para kabinetit qeveritar tha se duhet edhe hetim edhe për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit.
Por, sipas tij, teksa po punojnë për të sanuar dëmet e shkaktuara, përveçse me pasojën, duhet të merren edhe me shkaktarët e vërshimeve.
“Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, hedhja e mbeturinave në lumenj, prerja ilegale e pyjeve dhe mungesa e pyllëzimit, sistemet joadekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes, planifikimi jo i duhur i infrastrukturës dhe ndryshime klimatike padyshim që i kanë lehtësuar, shpeshtuar e shpejtuar përmbushjet në vendbanimet tona”, u shpreh Kurti.
Kreu i ekzekutivit të vendit më tej tha se krahas vlerësimeve të dëmeve duhet të bëhet edhe rivlerësim i sjelljes sonë karshi mjedisit dhe natyrës dhe në të njëjtën kohë të përmirësohet edhe reagimi për parandalimin e vërshimeve.
“Duhet edhe hetim edhe për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit. Nuk mjafton vetëm rimëkëmbja nëse nuk nxjerrim mësime…. Komunave, familjeve, bizneseve dhe qytetarëve nga zonat e prekura do t’iu qëndrojmë pranë përherë. Ndihma nga qeveria nuk do të mungojë për asnjë moment. Skenderaj, Mitrovica, Klina, Istogu e Podujeva bashkë do të ngritën”, tha ndër të tjera kryeministri. /Telegrafi/