Gjykata pritet të shqyrtojë superekspertizën për rastin “Laskarca”, ku humbën jetën 16 persona

Superekspertizat e përgatitura nga dy ekipe të inxhinierëve mekanikë dhe të komunikacionit do të shqyrtohen në seancën e sotme për rastin “Laskarca” në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, pasi në seancën e kaluar arriti ekspertiza nga Byroja e ekspertizës, që u bë me urdhër nga Gjykata në dhjetor të vitit 2021 dhe i është dorëzuar prokurorit dhe të pandehurve nëpërmjet mbrojtësve të tyre.

Në seancën e kaluar gjykata mori vendim, që pas pëlqimit të të gjitha palëve, për shkak të ekonomizimit dhe përshtatshmërisë së procedurës, të lexohen të gjitha provat e deritanishme dhe të vazhdojë procedura sot me superekspertizat.

Superekspertiza që Gjykata e urdhëroi në dhjetor të vitit 2021 u refuzua nga fakultetet e shtetit, me shpjegim se ekspertët e tyre tashmë kanë marrë pjesë në ekspertizën e mëparshme, ndërsa Fakulteti Teknik në Manastir, ndërkohë, bëri të ditur se kërkesën e kanë kthyer për shkak se ekspertët e tyre të licencuar mekanikë janë vetëm ekspertë të energjisë dhe nuk mund të kryejnë ekspertizë në mjete motorike. Nga Gjykata Penale kanë bërë të ditur se kanë kontaktuar Universitetin e Shtipit dhe Fakultetin Mekanik në Shkup, nga ku janë njoftuar se nuk kanë mjaftueshëm ekspertë të licencuar për automjete në komunikacion, të cilët nuk kanë marrë pjesë në ekspertizën e mëparshme. Pas refuzimit të fakulteteve, lënda është dërguar në Byronë për ekspertizë ligjore, e cila ka aftësinë të formojë ekip ekspertësh të licencuar për superekspertizë.

I akuzuar në rastin e aksidentit në afërsi të Laskarcës, që ndodhi më 13 shkurt 2019, ku humbën jetën 16 persona dhe mbetën të lënduar rëndë mbi 30, është Durmish Beluli, pronari i kompanisë “Durmo Tours”, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski, të cilët akuzohen për kryerjen e veprave të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion, ndërsa tre punonjësit në stacionin për kontroll teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski, akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

Procesi gjyqësor për aksidentin, i nisur në shtator të vitit 2019, e udhëheq gjykatësja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik, Darko Jakimovski.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme