Vendimi i ministrit të Financave, Fatmir Besimi për rritjen e pagave të punonjësve në ministrinë e tij për 30 për qind do të shkaktojë revoltë te zyrtarët e tjerë administrativë, në ministritë dhe institucionet e tjera. Ky është qëndrimi i Sindikatës së Maqedonisë, nga ku thonë se Besimi ka vepruar si sindikalisti i parë, por vetëm për punonjësit e ministrisë së tij. Për pjesën tjetër, rritja e paraparë e pagave për këtë vit është vetëm 5%. Por ka edhe institucione ku do të shkurtohen pagat.
“Nuk është e mundur nga rritja e pagave prej 5% në sektorin publik ju të përdorni 30 për qind të rritjes në ministrinë tuaj dhe të lejoni minus 1,7 për qind uljen e pagave në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Është një diskriminim i madh që bëhet mes punonjësve të sektorit publik”, tha Sllobodan Trendafillov – LSM.
Sipas Trendafillovit, nëse ministrat e tjerë nuk e ndjekin shembullin e Besimit, do të mbeten pa staf pune. Ministri Besimi e arsyetoi rritjen e pagave pikërisht si mekanizëm mbrojtës të institucionit ndaj largimit masiv të stafit në Drejtorinë e të Ardhurave Publike apo në Dogana, ku pagat janë shumë më të larta. Para kësaj rritjeje, paga mesatare mujore në Ministrinë e Financave ishte 26 500 denarë. Nga ky muaj, do të rritet në rreth 34 500.
Sindikata gjatë gjithë verës ishte në grevë nëpër rrugët kryesore të Shkupit për t’i harmonizuar pagat e mbetura të administratës me shumën e pagës minimale, por për këtë nuk u gjet para në buxhet. Tani po përgatitet një ligj i ri për pagat në sektorin publik. Për të, sindikata është e mendimit se është e keqe sepse kontratat kolektive, të cilat sipas tyre, janë mbrojtëse të të drejtave të punëtorëve, po shfuqizohen, por qeveria garanton se do të gjendet një zgjidhje sistematike. /Alsat.mk