Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka publikuar sot një video selfie, përmes së cilës i është drejtuar kryeministrit Kurti me një varg pyetjesh se pse nuk po shkarkohet Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj pas shpërthimit të skandalit financiar dhe lidhjes së tij me mafian energjetike serbe.
Krasniqi ka theksuar se mbi dy milionë euro që janë i dhënë mikut të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Martin Berishaj nga një kompani energjetike sllovene, me degë në Serbi, nuk dihet se ku kanë përfunduar.
“Kjo aferë e Martin Berishajt, e raportuar në media ndërkombëtare, ngre dyshime serioze për Qeverinë e Kosovës. Si mund të flitet për respektimin e shtetit të së drejtës, ndërkohë që përfaqësuesit më të lartë të shtetit tonë përfshihen në afera të tilla financiare dhe ata mbrohen nga krerët e shtetit? Si e ndikon ky skandal imazhin e shtetit tonë, tani kur jemi në prag të liberalizimit të vizave dhe kur kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian?”, ka thënë Krasniqi.
“Dhe më e rëndësishmja: Kryeministër, pse po heshtë për këtë skandal dhe pse po e mbron kaq shumë bashkëpunëtorin tënd të ngushtë, Ambasadorin Martin Berishaj? Ju keni premtuar se do ta luftoni korrupsionin, e tash ndodheni në mesin e një skandali rajonal të korrupsionit. Po vepron si një struc kryeministër, duke e zhytë kokën në rërë dhe duke pritë që ky problem disi do të kalojë. Por, këtë herë nuk do t’ia dalësh duke heshtur. Qytetarët po e kërkojnë të vërtetën dhe ata meritojnë ta dinë tregimin e plotë për aferën Martin Berishaj”, ka përfunduar Krasniqi.