Gazetare: Vjollca Aliti
Trendi i boshatisjes së fshatrave viteve të fundit ka shënuar rritje. Në fshatin Veshallë të Malësisë së Tetovë oxhaqet nuk tymojnë më si në të kaluarën.
Pothuajse është zbrazur në tërësi edhe shkolla. Nëse në vitin 2014 në shkollën fillore “Besa” mësonin 170 nxënës nga Veshalla dhe Bozovca, numri i tyre tani ka rënë në 22. Klasat e 9 paraleleve kanë mbetur vetëm me nga 1 ose më së shumti tre nxënës.
“Jemi në një situatë jo të volitshme, dhe mund të themi humbja e një klase, ku një klasë ka 1 nxënës mund të themi se humbet 1 vend ose më shumë vende pune. Në vitin 2005 ka filluar ajo rënia nga 200 nxënës në 170, në vitin 2014 kemi pas nga 150-170 nxënës kemi pasur sipas statistikave. Pastaj ka filluar vit për viti rënie e madhe e nxënësve”, deklaroi Shefajet Ramadani, Drejtor i sh.f “ Besa” fshati Veshallë.
Nevzat Shaqiri është nxënës i klasës së nëntë. Ai dhe dy nxënës të tjerë, përbëjnë njërën nga klasat me numër më të madh.
Prej klasës së parë kemi qenë 4 nxënës, mirëpo në klasën e 4 na iku një nxënës dhe ngelëm 3. Ndjesia është e keqe, nuk na jepet edhe shumë për të mësuar.
– A kishe pasur dëshirë të mësosh në një klasë ku do kishte më shumë nxënës, më shumë interaktivitet, më shumë aktivitete?
– Po, do kisha dashur.
– A është shumë e vështirë, ju bie shumë shpesh të njëjtit nxënës të dilni në dërrasë të zezë. Cila lëndë është më e vështirë për ta realizuar?
Matematikën e kemi më vështirë, na bëhet e mërzitshme sepse vetëm ne të tre dalim në dërrasë. Edukata fizike na duket më e bezdisshme, sepse nuk kemi shumë shokë apo nxënës për të luajtur futboll tamam siç duhet”?, tha Nevzat Shaqiri, nxënës.
15 mësimdhënës të cilët çdo ditë udhëtojnë nga 22 kilometra për në Veshallë, thonë se zhvillimi i procesit mësimor me numër të vogël të nxënësve, është i vështirë.
“Të bësh 40 minuta me 2 nxënës apo 3 në disa klasa, është problem i madh për arsye se bëhesh monoton edhe për nxënësit. Psh në detyrat e matematikës disa detyra duhet të bëhen në dërrasë. Dhe kur i bëhesh monoton nxënësit 2-3 herë ta nxjerrësh në dërrasë , është problem. Unë kam harruar vitet e fundit si është të ketë në klasë 15 fëmijë, më tepër se 10 vite. Mungon konkurrenca, në një klasë ku nuk ka konkurrencë nuk ka dhe nxënës të mirë. Nxënësit i kemi shumë të mirë në krahasim me mos konkurrencën”, deklaroi Ramiz Iljazi, Arsimtar i Matematikës .
“Kur bashkëpunon me një nxënës të zhvillosh një njësi mësimore, brenda 40 minutave është mjaftë vështirë. Nuk është për arsimtarin, vështirë është për nxënësin. Brenda 40 minutave duhet ta zhvillosh njësinë mësimor dhe ta pyesësh”, tha Samedin Ameti, Arsimtar i grupit klasor.
Vetëm gjatë gjysmë vjetorit të parë, në këtë shkollë fletëshpërngulje kanë marrë 7 nxënës. Në të gjitha shkollat e Tetovës, brenda gjysmë vjetorit të parë fletëshpërngulje kanë marrë rreth 200 nxënës. Mbi 150 nxënës janë të shkollave fillore dhe rreth 50 të shkollave të mesme. /Alsat.mk