Gazetar: MIki Trajkovski
Inspektorati i punës ka konstatuar se të gjithë mësimdhënësit në shkollën fillore komunale të muzikës në Strugë e mbajnë mësimin në mënyrë ilegale. Ata nuk kanë marrëdhënie të lidhur pune me institucionin në pajtim me nenin 13, paragrafi 7 të Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, konfirmuan sot për Alsat nga Inspektorati shtetëror i punës. Mësimdhënësit japin mësim që nga viti 2021 dhe prej atëherë e deri më tani nuk kanë marrë asnjë denarë.
“Është lëshuar masë inspektimi, urdhëresë, me të cilin punëdhënësi, shkolla fillore e muzikës në Strugë, urdhërohet që në afat prej 8 ditë të krijojë marrëdhënie pune me 14 mësimdhënësit. Për veprën e kryer është shqiptuar gjobë në varësi të madhësisë së personit juridik. Kjo është punë pa marrëdhënie të rregulluar pune, që paraqet punë të paligjshme sepse punëtorët punojnë pa u regjistruar në sigurimet sociale të detyrueshme”, deklaroi Vesna Tomoska, Drejtoreshë e Inspektoratit Shtetëror të Punës.
Po kush e lejoi shkollën të fillojë punën pa siguruar para dhe miratime nga institucionet përkatëse? Alsat këtë pyetje ia parashtroi Ministrisë së Arsimit dhe Byrosë për Zhvillimin e Arsimit.
“Byroja për Zhvillimin e Arsimit kryen punë profesionale me rëndësi për zhvillimin dhe përmirësimin e arsimit, është përgjegjëse për planet mësimore dhe trajnimin e mësuesve. Të gjitha çështjet e tjera në lidhje me themelimin e shkollës, financimin, verifikimin e punës së saj janë në përgjegjësi të vetëqeverisjes lokale dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”, thonë nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit.
“Procedura për sigurimin e pëlqimeve për punësimin e personelit mësimor në shkollën e cekur është në vazhdim”, njoftojnë nga Ministria e arsimit.
Ministri i arsimit, Shaqiri dje tha se është i njohur me problemin. Ai ka falënderuar mësuesit që, siç tha ai, kanë punuar “me vullnet të mirë”.
“Falënderoj ata mësues që kanë pasur vullnet të mirë jo vetëm gjatë kohës që kam qenë ministër, por edhe më parë. Së shpejti do të japim edhe pëlqimet e para për rregullimin e statusit të profesorëve…”, deklaroi Jeton Shaqiri– Ministër i Arsimit.
Përndryshe, në shtator të vitit 2021, në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale, kryetari i Strugës Ramiz Merko dhe ministri aktual Shaqiri, i cili në atë kohë ishte ministër i shoqërisë informative, bënë fotografi dhe hapën shkollën. Por askush nuk përmendi se për të punësuarit nuk janë dhënë as para dhe as pëlqim për punësim. Një vit e gjysmë pas hapjes, mësuesit nuk kanë marrë asnjë nga 17 pagat. Ndërkohë janë punësuar mësues të rinj që nuk kanë marrë asnjë rrogë. Në këtë shkollë mësimin e ndjekin 250 fëmijë. /Alsat.mk