sakte.net :15 Gusht 2016 – 18:51
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar sot fshatin Gorazhdec të Komunës së Pejës, ku ka thënë se ka nderuar të rinjtë serbë të vrarë në vitin 2003, rrethanat e vrasjes së të cilëve ende mbeten të pazbuluara.
Pllaka përkujtimore ku Thaçi vuri kurora lulesh, përveç se mban emrat e 2 të rinjve serbë të vrarë më 2003, mban edhe emra të serbëve të vrarë gjatë luftimeve me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe nga bombardimet e NATO-s më 1998 dhe 1999.
Një gjë që bie në sy në këtë lapidar është mbishkrimi në përkujtim të këtyre viktimave, që thotë: “Nuk është aq e tmerrshme të vdesësh, sa është e tmerrshme të varrosesh për së gjalli. Viktimat e terroristëve shqiptarë”.
Në fotografitë e dërguara nga zyra për informim e Presidencës, ndonëse të shkrepura në profil, mund të vërehet qartë ky mbishkrim skandaloz.
Në fotografitë e vendosura në këtë lapidar, mund të shihen edhe individë me uniforma policore të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Ky nuk është rasti i parë që presidenti Thaçi bën përkujtime ndaj serbëve të vrarë në Kosovë.
Thaçi edhe gjatë muajit korrik të këtij viti ka nderuar 14 të vrarët në fshatin Grackë për të cilët ende nuk dihet se si ka ndodhur vrasja e tyre. Edhe në memorialin e të vrarëve në Grackë shkruan se ata janë vrarë nga “terroristët shqiptarë”, madje me përçmimin historik të serbëve ndaj shqiptarëve me shprehjen “shiptari”.
Ky veprim kishte ngjallur jo pak reagime./koha.net