The Economist: Rusia drejt pushtimit të shtetit tjetër në Europë pas Ukrainës

Më 9 shkurt presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se e kishte informuar homologen e tij moldave mbi ekzistencën e një plani të Rusisë për të rrëzuar qeverinë e saj pro-perëndimore. Një ditë më vonë, një raketë ruse kaloi nëpër hapësirën ajrore të Moldavisë në rrugën e saj drejt një objektivi në Ukrainë.

Po atë ditë dha dorëheqjen kryeministrja moldave Natalia Gavrilita. Por shkaku i rënies së saj nuk ishte kërcënimi nga Rusia, por rritja e inflacionit, për shkak të të cilit një numër i madh moldavësh e kanë shumë të vështirë të paguajnë faturat e tyre.

Dorin Recean, zëvendësuesi i zonjës Gavrilita – në pritje të konfirmimit nga parlamenti – thotë se ngritja e pagave është një prioritet për të. Por ai thekson se forcimi i mbrojtjes së Moldavisë është një çështje tjetër. Javët e fundit, zyrtarët moldavë i kanë bërë thirrje Perëndimit për ndihmë në sigurimin e hapësirës ajrore praktikisht të pambrojtur të këtij vendi të vogël.

Por shtimi i ndjeshëm i fondeve për rindërtimin e aftësive të dobëta mbrojtëse të Moldavisë është i diskutueshëm, në kushtet kur shqetësimi kryesor i shumicës është kostoja e jetesës. Buxheti i mbrojtjes i Moldavisë këtë vit do të rritet me 68 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Gjithsesi shuma në total mbetet ende e vogël: afro 75 milion euro ose 0.55 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas Ministres së Mbrojtjes Anatolie Nosatii. Ai thotë me  shaka se një fond të tillë nuk ka mundësi as të ndryshojë hartën e Evropës të epokës sovjetike që spikat në zyrën e tij.

Tanket e vetme të vendit janë ato që janë ekspozuar nëpër muzeume, dhe më pak se gjysma e 6500 ushtarëve moldavë janë profesionistë. Nëse do të shpërthente lufta, policia plus rojet kufitare së bashku me rezervistët mund ta rrisin numrin e njerëzve nën armë në maksimumi 45.000.

Por ata do të ishin të pajisur shumë keq, dhe nuk do të kishin mbështetje ajrore. Nga ana e saj, Rusia ka 1500 trupa (shumica prej tyre të rekrutuar në Moldavi) të stacionuara në Transnistria, një rajon i shkëputur në lindje të Moldavisë, të cilin e mbështet financiarisht Kremlini.

Më 2 shkurt, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se “Perëndimi donte që Moldavia të luajë rolin e Ukrainës së ardhshme”. Kërcënime të tilla të nënkuptuara në të kaluarën, kanë bërë që miqtë t’i vijnë në ndihmë Moldavisë.

Qershorin e vitit 2022, ky vend u bë një kandidat zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa tani Brukseli ka premtuar dhënien e 40 milionë eurove ndihmë ushtarake jo-vdekjeprurëse për pajisje të tilla si dronët mbikëqyrës dhe mbrojtja kibernetike.

Gjermania do t’i dërgojë 19 autoblinda ushtarakë, ndërsa një delegacion nga Ministria britanike e Mbrojtjes do të vizitojë këtë javë kryeqytetin Chisinau. Po këtë javë, një takim i Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s pritet të miratojë një plan tjetër për të ndihmuar Moldavinë të ripërtërijë mbrojtjen e saj.

Por gjërat mund të ndryshojnë edhe brenda vendit. Edhe pse udhëheqja e Transnistrisë përparoi nën ombrellën e Rusisë, Alexandru Flenchea, këshilltari i kryeministrit në largim për rajonin separatist, thotë se lufta në Ukrainë ka ndryshuar gjithçka. Zyrtarët moldavë janë në kontakte intensive, edhe pse po tregohen të matur, me udhëheqësit e Transnistrisë.

Dhe Flenchea po përpiqet të negociojë një zgjidhje të mundshme të konfliktit. Shumica e liderëve të Transnistrisë janë më të interesuar për para sesa për Rusinë, mendon ai, sado armiqësore që mund të jetë në dukje retorika e tyre. Dikur pjesa më e madhe e parave vinte nga kontrabanda nga dhe drejt Ukrainës, por lufta tani e ka mbyllur atë kufi.

“Rusët nuk janë më një mbrojtje për vendasit. Përkundrazi, ata janë gjithnjë e më shumë një problem potencial”– shprehet Flenchea. Një nga kufizimet që ka Nosatii në kërkimin e ndihmës nga jashtë është se kushtetuta e Moldavisë e detyron atë të jetë neutral.

Muajin e kaluar presidentja Maia Sandu deklaroi: “Aktualisht po zhvillohet një debat serioz…në lidhje me aftësinë tonë për të mbrojtur veten, nëse mund ta bëjmë vetë, apo nëse duhet të jemi pjesë e një aleance më të madhe”. Por nëse sot do të mbahej një referendum, është gati e sigurt se moldavët do ta refuzonin anëtarësimin në NATO.

Një zyrtar qeveritar thotë se liderët e vendit e shohin si misionin e tyre fillimin e ndryshimit të opinionin publik, por kjo gjë është e vështirë. “Duke pasur parasysh inflacionin dhe të ardhurat e ulëta, mënyra më e mirë për të shmangur luftën është të jesh neutral”- mendojnë shumica e njerëzve.

Kur forcat ruse mësynë në Ukrainën Jugore një vit më parë, disa zyrtarë moldavë prisnin që tanket e tyre të futeshin në Chishinau brenda disa ditësh, dhe të vendosnin aty një regjim kukull pro-rus. Nosatii thotë se tashmë kjo frikë është largua. Por, shton ai, çështja e sigurisë nuk ka të bëjë thjesht me zëvendësimin e pajisjeve të vjetra ushtarake sovjetike të Moldavisë.

“Ajo ka të bëjë më shumë me luftën hibride që Rusia po zhvillon kundër Moldavisë. Dhe kjo përfshin dezinformimin, lajmet e rreme, sulmet kibernetike, dhe gjithçka që do ta diskreditojë qeverinë dhe do të krijojë kushtet për të ndryshuar partinë tonë udhëheqëse në një parti më pro-ruse”– thekson ai.

Më 13 shkurt, zonja Sandu deklaroi se Rusia po planifikon të sponsorizojë protesta të dhunshme me synim rrëzimin e qeverisë. Ajo tha se prokurorët dhe shërbimet sekrete kanë nevojë për më shumë kompetenca për të luftuar ndaj kërcënimit që buron nga Kremlini. Moldavia ka qenë prej kohësh një vend shumë i përçarë. “Ndikimi i propagandës ruse është shumë i madh”- thotë Valeriu Pasha, drejtues i watchdog.md, një think-tank vendas.

Por sondazhet tregojnë se moldavët kanë shpeshherë pikëpamje konfuze dhe kontradiktore. Pasha thotë se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka çuar në një ndryshim dramatik të pikëpamjeve.

Vladimir Putin mbetet ende politikani i huaj më popullor, por vlerësimet ndaj tij kanë rënë. Në fundin e vitit të kaluar më shumë se 70 për qind e moldavëve mendonin se vendi i tyre duhet të forcojë ushtrinë.

Por pro-rusët në Moldavi dhe zëdhënësit e tyre mediatikë janë armiqësor ndaj kësaj ideje. Pikërisht ky qëndrim duket si një arsye e mirë për ta forcuar ushtrinë moldave.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme