Janë larguar nga qendra hetimore e Prokurorisë për krim të organizuar, hetuesit që kanë punuar në hetimin paraprak për hetimin e tragjedisë me autobusin e kompanisë “Besa Trans” dhe hetimet për stacionin e kontrollit teknik të kompanisë në të cilën është regjistruar autobusi i “Besa Trans”, shkruan portali sdk.mk.
Po ashtu është ndërprerë edhe detyra hetimor e hetuesit që ka punuar në rastin e dhënies së pasaportave maqedonase për kriminelët e shpallur në kërkim botëror, shtetas të huaj për të cilët ekzistojnë dënime. Ata janë rikthyer në punën e tyre të mëparshme në MPB, ndërsa në vend të tyre janë punësuar hetues të rinj.
I pyetur nga SDK.mk, kreu i Prokurorisë Themelore Publike për Krim të Organizuar, Islam Abazi, u përgjigj se mandatet prej një viti plus dy vjet të mundësisë për të qëndruar në qendrën hetimore për këta hetues të përzgjedhur përfunduan më 7 shkurt të këtij viti. Ata tashmë janë rikthyer në vendet e tyre të punës në Ministrinë e Brendshme. Bëhet fjalë për katër hetues të Ministrisë së Brendshme dhe një të policisë financiare.(INA)