Ligjvënësit republikanë kanë kërkuar që Vuk Jeremiç, bashkëpunëtori i Hunter Biden, djalit të presidentit amerikan, të dëshmojë në lidhje me aferën e familjes Biden me kompaninë kineze të energjisë, CEFC.
Sipas ‘New York Post’, Jeremiç, ish-ministër i Jashtëm i Serbisë, duket se ka ndihmuar anëtarët e familjes Biden të lidhen me drejtuesit e kompanisë kineze CEFC në fund të vitit 2015, në kohën kur Biden ishte akoma zëvendëspresident.
“Do të doja të ftoja Hunter Biden në këtë darkë të vogël private. Jam i bindur se shumë projekte interesante mund të dalin në të ardhmen,” shkruan Jeremiç.
Schwerin shprehet i interesuar, edhe pse thotë se Biden nuk do jetë i pranishëm dot pasi është jashtë vendit të dielën.
Kongresmeni republikan James Comer, që mbikëqyr hetimet e Komisionit Parlamentar të Dhomës së Përfaqësuesve, i ka dërguar një letër Jeremiç, ku i kërkon që të dorëzojë të gjithë dokumentet dhe komunikimet që lidhen me Hunter dhe James Biden. Nëse Jeremiç refuzon të dorëzojë dokumentet dhe të japë një intervistë me stafin e komisionit, ai do i nënshktrohet një fletë-thirrje ligjore.
“Vuk Jeremiç është dëshmitari ynë themelor në hetimin tonë për përfshirjen e Joe Biden dhe familjes së tij në skemat e biznesit brenda dhe jashtë vendit,” tha Comer.
Jeremiç nuk ka reaguar akoma zyrtarisht.
Kujtojmë se në aferën e Hunter Biden me kinezët është i përfshirë edhe kryeministri Edi Rama, përmes këshilltarit të tij, Dorian Duçka. Ky i fundit ka pasur një lidhje me Hunter Biden. Në një email të zbuluar në laptopin e Biden është zbuluar një bisedë ku flitet për pagesa ndaj këshilltarit të Ramës.
Në padinë e ngritur ndaj ish-agjentit të FBI, Charles McGonigal, thuhet se Dorian Duçka punon për një kompani kineze. Mediat amerikane shkruajnë se është e njëjta kompani për të cilën ka punuar edhe Hunter Biden.
© SYRI.net