Prokurorët dhe gjykatësit e ardhshëm, ndërkombëtarët kërkojnë të punojnë me integritet

Gazetar: Ardit Ramadani

Institucionet ndërkombëtare të cilat kanë investuar shumë në sundimin e së drejtës dhe gjyqësorin e Maqedonisë së Veriut vlerësojnë se para njohjeve që mund të kenë kandidatët për prokurorë dhe gjykatës të ardhshëm në vend, duhet të luajnë rol aftësitë dhe profesionalizmi i tyre. Zëvendës ambasadori i ShBA-ve në vend, Eric Meyer për ALSAT tha se pret që prokurorët dhe gjykatësit e ardhshëm, që sapo kanë përfunduar Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publik të punojnë me integritet.

“Nuk kemi informacione që të komentojmë në lidhje me kriteret dhe rezultatet e provimeve për studentët e Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik. Çka është e qartë, është se edukimi, eksperienca dhe aftësitë e vërtetuara duhet të kenë rëndësi për çfarëdo pozite dhe jo kë e njeh. Kur gjenerata e re e Akademisë do të fillojnë karrierën e tyre si prokurorë dhe gjykatës, ata do të duhet t’i dëshmojnë aftësitë e tyre, njohuritë dhe integritetin në bazë ditore”, deklaroi Eric Meyer – zëvendës ambasador i ShBA-ve në RMV.
Edhe nga Delegacioni i BE-së në Shkup potencuan që është shumë e rëndësishme që këta prokurorë dhe gjykatës të ardhshëm të vendit, të dëshmojnë se janë të pavarur, profesional dhe kompetent për atë detyrë.

“Akademia për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik është pika hyrëse në gjyqësor dhe prokurori e krijuar për të siguruar se përfshirja në këto profesione është ferr dhe transparente si dhe e bazuar në meritokraci. Programi fillestar i trajnimit në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publik përfshinë ligjërata për etikën, kulturën e biznesit dhe deontologjinë. Nga të diplomuarit e ri pritet të tregojnë pavarësi, profesionalizëm dhe kompetencë. Kjo është shumë e rëndësishme në kontekstin e procesit të përfshirjes së RMV-së në BE dhe rolit të tyre si gjykatës të ardhshëm në BE”, thonë nga Zyra e BE-së në Shkup.

Ndryshe, për një dekadë vetëm Bashkimi Evropian ka investuar më shumë se 140 milion euro, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi 60 milion dollarë për luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit në Maqedoninë e Veriut.

Përkundër kësaj, gjyqësori përballet me kritika të ashpra. Vetëm 4 % e qytetarëve besojnë plotësisht në të. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme