Gazetar: Melihate Rustemi
Janë të shumta pakënaqësitë nga prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit shqiptar të shkollës fillore të muzikës “Pançe Peshev” në Kumanovë. Këto të fundit ankohen për diskriminim në baza etnike nga ana e drejtueses së kësaj shkolle, Sandra Zojçevska e cila ditë më parë pengoi nxënësit edhe të përfaqësonin shkollën në një koncert. Mësimdhënësit shqiptarë ankohen për orë të stërngarkuara, mungesë kuadri dhe mos dhënie të pëlqimeve për punë.
“Shpesh ka ndodh që ka hy në klasën time, me sjellje shumë të pahijshme, bile edhe në sy të nxënësve. Nuk po di si me shpjegu sjelljen e saj se nuk ka fjalë të mira për ato sjellje. Shpesh bile kam pas edhe ankesa nga prindërit se fëmijët kanë qenë të traumatizuar nga ngjarjet, që e kanë pa rastin mes meje dhe drejtorreshës. Tendenca ka qenë që numri jonë të jetë sa më I ulët, të mos ketë nxënës. Shkatërrimi I paraleles është qëllimi kryesor I drejtoreshes. Momentalisht, këtë vit kam orë jashtë numrit të normales, jashtë fondit të plotë”, tha Ariana Jashari, mësimdhënëse.
Riga Hasani kujton se pikërisht për shkak të këtyre ndodhive në shkollë ka dashur të ndërpres mësimet.
“Nëqoftëse ne nuk e dim gjuhën maqedone nuk na përfillin. Duhet në gjuhën angleze të miremi vesh nëqoftëse profesori e din ose të flasim maqedonisht aq sa dim. Hamerët na detyrojnë mi shënu edhe në gjuhën maqedone kur ata hamerët e vet nuk I bëjnë edhe në gjuhën shqipe. Nuk jam ndje hiç mirë, kam dashur mos ta vazhdoj shkollën e muzikës, tash jam viti I gjashtë edhe faleminderit prindërve që kam vazhdu se ja ka vlejt”, u shpreh Riga Hasani, nxënëse.
Për diskriminimet në bazë etnike shprehen të revoltuar edhe familjarët e nxënësve. Kërkojnë që institucionet përkatëse të ndërmarrin masa për zgjidhjen e kësaj çështje.
“Shumë do gjëra që mbesa mi ka tregu ato janë negative në këtë kohë, në këtë shekull. Kjo ka ndodhë në kohën e Jugosllavisë, në këtë shekull me ndodh nuk është normale sipas meje”, theksoi Sabedin Xhemaili, familjar.
Ditë më parë dhjetëra nxënës shqiptar të shkollës fillore të muzikës “Pançe Peshev” në Kumanovë mbetën me instrumente në duar dhe nuk realizuan koncertin me muzikë serioze që duhej të mbahej në Qendrën e Kulturës. Sipas prindërve dhe mësimdhënësve shqiptar shkak I anulimit të koncertit është drejtoresha e shkollës, gjegjësisht ushtruese e detyrës Sandra Zojçevska e cila, sipas mësimdhënësve, kishte urdhëruar që nxënësit në këtë koncert mos të prezentohen si nxënës të shkollës amë, paralelja në gjuhën shqipe. Për të gjitha ankesat e mësipërme Alsat përmes telefonit kontaktoi me drejtoreshën Sandra Zojceva. Para se ta kuptoj se për çfarë po e kërkojmë komunikimi me të ishte shumë I mirë, në momentin që treguam se jemi gazetar tha se gjendet jashtë vendit dhe mund ta kërkojmë pas të hënës./Alsat.mk