Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën, para udhëtimit të tij në Bruksel, se do ta veprojë ashtu siç është më së miri për vendin e tij.
“Atyre që paraprakisht po përgatiten të na sulmojnë – sepse do të nënshkruajmë diçka, se do të jemi tradhtarë, dhe paraprakisht e dinë se jemi fajtorë, dhe se po kthehemi në vitet ‘90 – mund t’iu them të mos shqetësohen. Nuk do të ketë as kapitullim, as kthim në vitet ‘90. Serbia do të ecë përpara sado e vështirë të jetë dhe ne do të arrijmë të luftojmë për të”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Instagram.
Ai do të takohet në pasditen e së hënës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes dy liderëve si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.
Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.
Departamenti amerikan i Shtetit, i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet mundësi për popujt e të dyja vendeve, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të këtij takimi se, presin që Kurti dhe Vuçiq të pranojnë propozimin, pa diskutime të mëtejme.
Pikë debati pritet të jetë vetëm një aneks për implementimin e pikave të marrëveshjes.
Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, propozimi parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Përveç propozimit të BE-së, Departamenti amerikan i Shtetit ka përsëritur thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani në kuadër të dialogut.