Gazetar: Adnan Qaili
Buka, produkti kryesorë në tryezën e çdo familje, rrezikon të mos prodhohet nga nesër. Kërcënimi i bukëpjekësve për të ndërprerë funksionimin e furrave për të gjitha prodhimet e brumit, vjen pas paralajmërimit për ngrirjen e çmimit të bukës në 33 denarë për 450gr. Bukëpjekësit thonë se kanë shpenzime të larta.
“Nuk mund të vazhdojmë, duhet të gjithë ta bojkotojmë se po të ngrihen çmimet nuk kemi llogari ta hapim dyqanin. Me çmimet që janë tu shku veç lart nuk kemi faj as na e as furnitorët, ashku s’na kupton”, u shpreh një furrtar.
“Momentalisht, është ulur pak çmimi i miellit por janë rritur shpenzime të tjera, si pagesa e kontributeve të punëtorëve, energjia elektrike dhe disa kosto tjera që janë rritur. Por, sigurisht vazhdojmë të punojmë”, tha një tjetër furrtar.
Disa furrtarë thonë se do mbyllin dyqanet, kurse disa të tjerë thonë se do të vazhdojnë me punë.
“Merakli të bukës dhe produkteve të tjera të brumit thonë që nuk i frikëson aspak paralajmërimi i odës së furrtarëve për të mbyllur furrat në rast se ngrihen çmimet e bukës. Ata thonë do i kthehen tradicionales, të gatuajnë vetë në shtëpi, meqenëse çmimet janë të larta krahasuar me standardin e jetesës”, raporton Adnan Qaili, gazetar.
Qytetarët ankohen se paguajnë shumë shtrenjtë krahas sasisë dhe cilësisë që marrin për bukën.
“Sigurisht që ka impakt, më shumë do kujdesemi të përgatisim në shtëpi. Disa gjëra që kemi konsumuar jashtë, për shembull unë si familje që jemi 5 anëtarë disa gjëra tash i bëjmë brenda, jemi të kujdesshëm. Mund t’i kthehemi tradicionales, kjo shihet si tendencë se jemi ‘modernizuar’ por duhet ti përkushtohemi edhe kuzhinës në shtëpi, sidomos të rinjtë dhe të rejat”.
“Mendoj që të dy palët duhet të mos qëndrojnë në skajet e tyre, duhet të ulen të bisedojnë dhe të gjejnë një zgjidhje sepse ata që më së shumti do ta pësojnë janë qytetarët, pra xhepat e popullit”.
“Po buka është shtrenjtuar shumë, kurse ne jemi 6 anëtarë. Ne blejmë 3-4 bukë në ditë, kur të kemi mysafir edhe më tepër. Shumë shtrenjtë është, përse në tjerat vende, si në Kosovë ishin të larta por tash u zbriten çmimet, a këtu në Maqedoni janë ulur vetëm pak por sërish mbeten të larta”.
Oda e furrtarëve dha ultimatum, se do të lë qytetarët pa bukë nëpër furra sepse nuk duan të heqin dorë nga fitimet e tyre. Ata thonë se masat sociale të shtetit nuk duhet të bëhen në kurriz të tyre, por paradoksi qëndron se ata nuk do të prodhojnë as produktet tjera që nuk e kanë të ngrirë çmimin. Se sa do të kenë mbështetjen e plotë të furrtarëve në gjithë vendin mbetet për të parë nga 1 marsi. Kujtojmë se prodhuesit e produkteve ushqimore marrin rrymë të subvencionuar që taksapaguesve për tre muaj u kushtuan rreth 3 milion euro. /Alsat.mk