Një falje të madhe, si personale ashtu edhe në emër të të gjithë atyre që kanë qeverisur vendin prej vitesh ka kërkuar në postimin e përjavshëm të tij në rrjetin social Facebook kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, 5 ditë pas tragjedisë më të madhe hekurudhore në historinë e vendit.
Me interes të madh priten zhvillimet sa i përket deponimeve të përgjegjësit të stacionit të Larisës i cili përballon deri në këto momente akuzat si shkaktar kryesor i aksidentit .
Brigadat e zjarrfikësve dhe specialistët po largojnë vagonët e fundit nga vendi i aksidentit. Njëkohësisht kanë nisur punimet e restaurimit të linjës hekurudhore ,ndërkohë që bilanci tragjik mbetet ende në shifrën e 57 viktimave prej tyre 6 me origjinë shqiptare. 55 janë identifikuar tashmë me testin e ADN, një mbetet ende i paidentifikuar dhe një person duket se është shtetas i huaj pasi nuk e ka kërkuar njeri.
Shtatë të plagosur trajtohen në repartet e terapisë intensive dhe 15 të tjerë kurohen në gjendje më të lehtë. Pas varrimeve të djeshme të disa prej viktimave edhe sot në një atmosferë zie dhe pikëllimi zhvillohen ceremonitë e varrimeve të tjera. Sinodi i Shenjtë i Kishës së Greqisë vendosi të mbajë një përkujtimore për viktimat në të gjitha kishat e vendit, pas përfundimit të liturgjisë së sotme të së dielës ortodokse.
Prej mesditës në sheshin Sintagma ka filluar një tubim i ri për viktimat e tragjedisë në Tempi, me iniciativë të sindikatave të kompanisë se trenave, punonjësit e së cilës ndodhen ende në grevë.
Mediat greke i referohen sot faktit se dita e dielë është shpallur nga qeveria shqiptare ditë zie për viktimat e aksidentit tragjik, shumica e tyre studentë dhe se në vendin fqinj flamujt do të valëviten në gjysmë shtize dhe televizionet do të ndryshojnë programet e tyre.
Top Channel