Gazetar: Adnan Qaili
Se a do të ketë ngrirje të reja të çmimeve, kjo pritet të qartësohet në seancën qeveritare të së martës?! Autoritetet paralajmëruan se disa prodhime të qumështit dhe makaronave duhet tu ngrijnë çmimet, siç janë qumështi i pasterizuar i lopës, jogurtit si dhe pastat. Nga Ministria e Ekonomisë nuk japin detaje të tjera se cilat do të jenë çmimet e ngrira sipas sasisë së paketuar të këtyre prodhimeve.
“Ministria e Ekonomisë po bënë analiza për ngrirjen e çmimeve të brumërave dhe të disa produkteve të qumështit, të cilat aktualisht edhe mbulohen nga vendimi për marzhë të kufizuar të TVSH-së, që bëjnë pjesë në produktet bazë të shportës së konsumatorit. Do të ndjekim modelin për industrinë e furrtarëve”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.
Në Evropë dhe në vendet e rajonit të dhënat zyrtare tregojnë se çmimet e produkteve të qumështit kanë filluar të stabilizohen. Por qytetarët pyesin përse akoma një litër qumësht i paketuar është më lirë të vijë nga një shtet tjetër me doganë dhe kosto të transportit sesa 1 litër qumësht që prodhohet këtu në vend. Eksperti i pavarur në këtë industri, Dragan Ilievski, shikuar si në pikëpamjen e prodhuesve ashtu edhe të qytetarëve thotë se mbi 50% e prodhimtarisë varet nga lënda parë e importuar gjë e cila dikton çmimet.
“E kam patjetër ta them se për momentin varet sepse Maqedonia nuk ka lëndë të qumështit për nevojat e tregut të brendshëm dhe sigurisht që prodhuesit janë të detyruar të importojnë. Pikat pranuese për prodhimet e qumështit shfrytëzojnë një pjesë të importuar të lëndës së parë kur ka mungesë në tregun vendor, si pasojë e mungesës së ushqimit të kafshëve shtëpiake”, theksoi Dragan Ilievski, Konsulent i pavarur në industrinë e qumështit.
Pavarësisht arsyetimeve të prodhuesve, çmimet janë absurde. Kaçkavalli dhe djathi janë bërë luks. Kontaktuam disa blegtorë dhe fermerë individual, të cilët na thanë se para krizës firmat prodhuese litrin e qumështit ua kanë paguar 22 denarë, ndërsa tani u paguajnë 28-32 denarë varësisht prej sasisë. Kurse 1 litër qumësht para krizës e kanë shitur 48 denarë, ndërsa të njëjtin tani e shesin 85 denarë. Nga Inspektorati i tregut thonë se janë në gjendje gatishmërie për të marrë masa të reja pas vendimit.
“Gjobat janë të larta dhe shkojnë nga 800 deri në 10 mijë euro, ndaj apeloj që të respektohen vendimet dhe ne si institucion jemi në terren për të monitoruar situatën dhe për të vepruar në rast të shkeljeve të mundshme të dispozitave ligjore. Qytetarët nuk duhet të vuajnë për interesa personale të tjerëve. Masat kanë për qëllim lehtësimin e gjendjes së qytetarëve në një periudhë të tillë krize dhe abuzimi i tyre është absolutisht i papranueshëm”, informojnë nga Dragan Ilievski, Konsulent i pavarur në industrinë e qumështit.
Deri më tani, Qeveria e ka ngrirë çmimin e bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë, të prerë dhe të plotë, 450 gramësh për 33 denarë. Vendimi për marrjen e masave të tilla erdhi pasi disa nga kompanitë ushqimore kanë shfrytëzuar rrymën e lirë të subvencionuar, por nuk kanë ulur çmimet. Inspektorati Shtetëror i Tregut tashmë ka gjobitur 4 kompani që e kanë shitur bukën më shtrenjtë se marzha e përcaktuar me gjoba mbi 300.000 denarë. Pas kësaj, mase industria e bukëpjekësve është stabilizuar. /Alsat.mk