Mësuesit, rrugëtim të vështirë për në fshatra

Gazetare: Melihate Rustemi

Një pjesë e shkollës fillore “Mihail Grameno” të fshatit Malinë të komunës Çuçer Sandevë është shtëpia e dytë e tre mësuesve, Aqif Sejdiu, Zeqir Bilalli dhe Avdyl Mamuti. Në dhomën ku qëndrojnë ata tashmë katër dekada janë rrëfyer histori e ngjarje nga më të ndryshmet në të cilat çdo njëri prej tyre ka qenë protagonist kryesor. Pavarësisht vështirësive të shumta, mësuesit në fjalë I mbetën besnik profesionit të shenjtë të mësuesisë duke u betuar se do ta kryejnë me nder deri në ditën e fundit.

“Nuk është lehtë, sidomos kur tash kur jemi afruar në vitet para pensionit është pak më vështirë, e kërkon koha që të jemi më afër familjes. Këtu jemi tre arsimtar, njëri punon me klasë të ulëta dhe dy me klasë të larta. Ne nuk jemi vetëm arsimtar përkatës për ato lëndë por jemi edhe për lëndë tjera për shkak se arsimtarët tjerë na mungojnë. Ne mendojmë se meritojmë më shumë, ndoshta ata mendojnë se është e mjaftueshme por për ne nuk na duket e pamjaftueshme për shkak se ne nuk jemi afër punës sikurse punëtorët tjerë të arsimi në qytet. Ne kemi benefecion për kushte të vështira që llogaritet 20% por nuk paguhemi për jetë të ndarë që bëjmë, duhet të përfshihet edhe jeta e ndarë”, u shpreh Aqif Sejdiu, mësues.

Avdyl Mamuti kujton se për këtë profesion ka përballuar çdo gjë, madje edhe duke bërë rrugë në këmbë nga gjashtë e deri në 12 orë, në rrugë përplot dëborë.

Ka ndodhë gjatë dimrit i kemi pre teshat me gërshërë për ti heq copat e ngrirjes nëpër këmbë. Sa ka zgjat rruga dikur? Ka zgjat 6 orë, kur kishte shumë borë edhe 12 orë, prej Likovës në këmbë. Ka ndodhë që edhe deri në Hasanbeg kemi shkuar në këmbë, nuk kishte makina sikur tash. Në vitin 2012 kanë ardhur me helikopter na kanë marr se nuk kemi mund të dalim, bora ka qenë mbi dy metër e më shumë. Ushqimin nëse nuk e marrim prej të hënës deri të premten atëherë mbetemi pa ushqim ose duhet fshatarët të na sjellin ushqim”, deklaroi Avdyl Mamuti, mësues.

Zeqir Bilalli thotë se shkolla nga viti në vit po zbrazet për shkak të kushteve të vështirë për jetë.

“Me klasat e katërta kemi filluar me konceptin e ri, për klasat e para nuk kemi pas material, libra, kemi filluar me konceptin e vjetër. Nga muaji shtator deri në muajin dhjetor kemi nxënës mjaftueshëm, prej dhjetorit e deri në fillim të prillit janë më pak dhe sërish rikthehen. Dallon shumë, mbushen klasat, ka kënaqësi kur hyn në klasë, kur zhvillohet mësimi si për një nxënës ashtu edhe për 15. Ne kemi klasë të kombinuara, unë punojë me tre klasë të kombinuara, të parën, të tretën dhe të katërtën. Më tepër i kushtojmë rëndësi lëndëve kryesore”, tha Zeqir Bilalli, mësues.

Me rastin e 7 Marsit, nxënësit kishin krijuar dhuratat më të bukuar prej letre për mësuesit e tyre të shoqëruara me fjalët më miradije për punën dhe sakrificën që bëjnë. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme