Gazetar: Ardit Ramadani
Një ose dy emra pritet që t’i shtohen listës së zezë amerikane për pak muaj. Ambasadorja e ShBA-ve në vend, Angela Aggeler, vazhdon të jetë kritike për nivelin e korrupsionit në vend. Sipas saj, në Maqedoninë e Veriut korrupsioni në disa forma po ndodhë çdo ditë ndërsa shtoi se ajo me ekipin e saj po bëjnë çmos për të ulur nivelin e krimit dhe korrupsionit.
“Korrupsioni në disa forma të tij, po ndodhë çdo ditë, kështu që ka njerëz të cilët ja vlen të konsiderohen, ndërsa për shkak se sistemi në Uashington është shumë i kujdesshëm në këtë pjesë, nevojitet kohë për hetime të krimit, në mënyrë që të sigurohemi se nuk e vendosim në listë dikë që nuk i takon asaj liste, kështu që është diçka e ndryshueshme dhe e lëvizshme, por mendoj që në muajt e ardhshëm do të shohim një emër apo dy, dhe ky do të jetë një proces që do të vazhdojë”, tha Angela Aggeler, ambasadore e ShBA-ve.
Edhe pse Aggeler, tha se ndër qëllimet e saja kryesorë gjatë shërbimit si ambasadore në vend është rritja e besimit të qytetarëve në gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit, në pyetjen e gazetarit nëse kjo mund të luftohet nga prokurorë e gjykatës që janë familjarë të politikanëve, ajo rikujtoi ligjet strikte kundër nepotizmit në ShBA.
A mendoni se fëmijët dhe familjarët tjerë të politikanëve do të mund ta luftojnë korrupsionin dhe krimin, meqë shumë prej tyre ishin në listën e Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik?
“Nuk do të komentojë atë listë specifike, ambasada nuk është pjesë e saj, nuk caktojmë ne se kush në cilin institucion vendoset. Por unë mund të ju them se në ShBA, ligjet për nepotizmin janë shumë, shumë strikte dhe unë besoj që janë të rëndësishme” , u shpreh Angela Aggeler, Ambasadore e SHBA-ve.
Listës së zezë amerikane sipas paralajmërimeve nuk do t’i shpëtojnë ish funksionarë të pushtetit të kaluar e as funksionarë aktual.
Nga ana tjetër çdo ditë e më shumë po vjetërsohen lëndët e iniciuara nga ish-prokuroria speciale ndërsa një pjesë e tyre përfundojnë me aktgjykime të diskutueshme. Tash një javë me dikasterin e Drejtësisë udhëheqë Krenar Lloga, i cili, ka dhënë një sërë premtimesh në drejtim të zbutjes së krimit dhe korrupsionit në vend. Aktualisht, gjyqësorit në vend i besojnë plotësisht vetëm 4 për qind e qytetarëve. /Alsat.mk