Gazetar: Ardit Ramdani
Asnjë sqarim nga Bashkimi Demokratik për Integrim në lidhje me “Frontin për Evropë” të paralajmëruar një ditë parë, përkundër pyetjeve të ALSAT se si do të zbatohet kjo strategji. Nga ana tjetër nga „grupi i zjarrit” thanë se nuk ka shqiptar që është kundër BE-së, por ironizuan me atë që sipas tyre, kjo ide mund të ketë fatin e agjendës së gjelbër.
“Nuk besoj që ka shqiptar që është kundër Bashkimit Evropian. Megjithatë, ka rrezik që kjo ide ta ketë fatin e agjendës së gjelbër”, tha Izet Mexhiti, “grupi i zjarrit”, BDI.
Lidhja Social Demokrate e konsideron veten si prijëse të kësaj ideje. Nga Aleanca për Shqiptarët nuk kanë pranuar ftesë për t’u përfshirë në këtë front por sipas tyre, nuk është koha për propozime të tilla.
“Nuk kemi pranuar ndonjë ftesë. Nëse ka diçka të tillë do të shqyrtohet në organet partiake. Por, ne mendojmë se është ende shumë herët për propozime të këtilla, ato diskutohen zakonisht disa muaj para zgjedhjeve parlamentare”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Për partinë “Alternativa”, nxjerrja e kësaj ideje në publik po bëhet për të mbuluar sipas tyre krizën brenda partisë së Ahmetit, ata përmes kësaj parashikojnë fundin e BDI-së.
“Për këtë shkak AlternAtiva në marifetin e ri të Ahmetit shikon një tentim të ri për ta mbajtur iluzionin se ai ka monopol mbi interesat shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ahmeti nuk duhet të frikësohet më shumë, sepse edhe ashtu BDI-ja është libër i lexuar tek shqiptarët dhe te faktori ndërkombëtar. Çdo fillim e ka edhe një fund”, reaguan nga Alternativa.
Nga Lëvizja BESA përsëritën qëndrimin e mëhershëm se thirrjet e BDI-së për t’u bashkuar në “frontin për BE-në”. janë hipokrizi politike, i rekomanduan Ahmetit që para se të tentojë t’i bashkojë tjerët, të unifikojë partinë e vetë.
“Thirrjet publike të Ali Ahmetit drejt Lëvizjes BESA janë hipokrizi politike të cilën jemi mësuar ta shohim shpesh nga lideri i Artan Grubit. Nuk ka kredibilitet politik të fton për unifikim njeriu i cili shkeli marrëveshjen politike që ka dalë nga “Deklarata e përbashkët e partive politike. Ali Ahmeti dhe BDI është mirë të unifikojnë veten e tyre dhe pastaj të merren me tjerët”, thanë nga Lëvizja BESA.
Edhe nga VMRO DPMNE-ja dje thanë se janë të orientuar nga Bashkimi Evropian por sipas tyre, jo nga ajo Evropë e cila proklamohet nga Artan Grubi dhe BDI-ja. Ndryshe, takimi i radhës i BDI-së pritet të mbahet të shtunën ku pritet të diskutohen për kërkesat e Grupit të Zjarrit./Alsat.mk