Më 18 mars në Ohër është mbajtur takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ku kanë marrë pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak.
Pas këtij, takimi ka pasur reagime të shumta, e më të theksuarat kanë ardhur nga partitë opozitare të Kosovës.
Opozita nuk po arrin të gjej një gjuhë bashkëpunuese me qeverinë, ku edhe nuk po tregohet mbështetëse karshi saj në përballjet me palën serbe, këtë rast Aleksandar Vuçiqin.
Pubilcisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot foli rreth kundërshtimeve të marrëveshjes së arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë.
“Me gjithë refuzimet, kundërshtitë e hapura të Vuqiçit, për të nënshkruar marrëveshjet e arritura, së fundi, në Ohër, ende nuk shohim ndonjë presion serioz ndaj tij, për ta obliguar atë. Polarizimet pozitë-opozitë në Kosovë, veçsa kanë trimëruar Vuqiçin, në qendrimet e tij destruktive. Opozita premtoi unitet dhe unifikim veprimesh në dialog. Por, realisht, veproi ndryshe. Nuk paragjykojmë vizitat e Lumirit dhe të Memlit në Amerikën mike, por Haradinaj dhe Hoti, me deklarimet e tyre publike, nga SHBA, pranimin e Asociacionit, ende pa u shtruar në tavolinën të dialogut, pabesisht e turpërisht, “thyen bllokadën” mbrojtëse të Kurtit, kundër Asociacionit”, deklaroi publicisti.
Sipas Zeqirajt, partitë opozitare në vendin tonë duhet të mësojnë nga përfaqësuesit e minoriteteve, përjashto minoritetin serb.
Ai për këtë ‘goditi’ edhe Haxhiun e Molliqajn për qëndrimet e tyre.
“Opozita shqiptare e Kosovës, duhet të mësojë nga përfaqësuesit e minoritetit: turk, boshnjakë e goranë, romë me degëzimet e tyre, si dhe shumica e opozitës serbe brenda Kosovës, për qasjen reale, objektive dhe fort të argumentuar, se një Asociacion monoetnik serb, diskriminon minoritetet tjera në Kosovë. Ata janë unik, në mendimin se minoritetet gëzojnë të drejta të plota, si askund tjetër në botë. Bilz, deputeti turk, në Parlamentin e Kosovës, deklaron se ne gëzojmë më shumë të drejta, se sa vetë turqit në Turqi. “Por, ndryshe mendojnë Baton Haxhiu dhe Dardan Molliqaj, “se po u shkelën të drejtat pakicës serbe!””, theksoi ai.
Më tej, publicisti potencoi se PAN-istët kanë filluar ofenzivën ndaj pushtetit, pasi ata po mundohen t’i mbulojnë dëmet që ia kanë bërë ndër vite Kosovës, duke tentuar ta bllokojnë qeverinë e tanishme.
“Ethet e pushtetit, po dominojnë mbi interesat e shtetit. Në vend të unitetit, për të përballuar dialogun, disa po mendojnë për aleancat zgjedhore. PAN-istët janë në ofenzivë. Me pushtet duan ta mbulojnë gjëmën që ia kanë bërë Kosovës. Barrikadimi i tyre kundër -Vettingut -; kundër Byrosë të Verifikimit dhe të Konfiskimit të pasurive makro-hajnore të tyre; mbrojtja e krimit dhe të kriminelëve në organet e drejtësisë, siç është edhe vendim i turpshëm i fundit, e të ashtuquajturës Gjykatë Kushtetuese, rrast e kapur, pikërisht, nga PAN-i”, u shpreh Zeqiraj.
Ndër të tjera, ai shtoi se kanë filluar sërish ‘lobimet’ për ndarjen e Kosovës, temë të cilën sipas tij po i prin gazetari Baton Haxhiu, e që po përkrahet nga disa persona të tjerë.
“Sërishmi janë aktivizuar lugetërit, për ndarjen e Kosovës. Prinë kallauzi monstrum, Baton Haxhiu, i pasuar nga eksponentët e PDK-së, të prirë nga Vlora, Ramë Buja dhe disa anëtarë të tjerë të zëshëm; Valon Murati, në emër të njëfarë “Lëvizje për Bashkim”; tellalli Molliqaj me pacollër të tjerë. Këta, me bashkëmendimtarët llumhane të tyre, joshin Vuqiçin me miqtë e tij, ndërmjetësuesit famozë, fort të gajluar, “për t`i dhënë diçka Serbisë”, për të marrë njohjen e saj! Të gjithë këta shqip-folës, një shtet ligjor, do t`i zinxhiroste, si qentë, për tradhtinë e tyre, që vazhdojnë t`i bëjnë atdheut-Kosovë’, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.