Në vend s’ka interesim për arbitrazh

Gazetar: Ile Petrevski

Përkundër faktit se procedura është falas, në vend deri më tani asnjë punëtor nuk ka vendosur që të fillojë procedurë kundër punëdhënësit të tij përmes arbitrazhit. Nga ana tjetër, gjykatat civile në të gjithë vendin janë të mbushura me procedime që zhvillohen për marrëdhëniet punëtor – kompani private apo punëtor – ndërmarrje shtetërore apo institucion publik. Niveli i ulët i informimit për këtë mundësi është një nga arsyet kryesore pse aktualisht nuk ekziston asnjë rast i vetëm individual në të cilin drejtësia kërkohet përmes rrugëve alternative.

Nga Ministria e Punës thonë se arsyet e kësaj gjendjeje janë në zgjidhjen ligjore për arbitrazh dhe informimin e pamjaftueshëm të punëtorëve dhe punëdhënësve me këtë mundësi. Autoritetet mendojnë se duhet pasur parasysh edhe atë se zgjidhja paqësore e kontesteve të punës nuk ka traditë të gjatë në Maqedoni.

“Do të përcaktohen të gjitha mangësitë dhe dobësitë e mekanizmit ekzistues për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve të punës dhe më pas do të miratohet një plan veprimi për të promovuar zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve të punës, me qëllim zgjidhjen sistematike të të gjitha mangësive të mekanizmit ekzistues”, thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Zgjidhja e kontesteve përmes arbitrazhit në Maqedoninë e Veriut nuk ka një traditë të gjatë. Ligji u miratua në vitin 2014 dhe e gjithë procedura filloi një vit më vonë. Ekspertët juridik për Alsat thonë se qytetarët duhet të kenë besim në këtë mjet ligjor dhe t’i japin një shans.

“Për fat të keq, statistikat tona janë dëshpëruese. Qytetarët, punëtorët, punëdhënësit nuk e zbatojnë ose nuk e dinë ose ndoshta nuk i besojnë. Shohim që qytetarët në vendin tonë absolutisht kanë mosbesim ndaj gjithçkaje, ndaj ndoshta duhet të ketë më shumë edukim për këtë”, theksoi Mimoza Saltirova Avokate.

Përveç mosmarrëveshjeve individuale, përmes arbitrazhit mund të zgjidhen edhe kontestet kolektive ndërmjet punëtorëve dhe kompanive private, si dhe kompanive shtetërore. Nga ana tjetër, ekziston edhe procedurë arbitrazhi, përkatësisht mënyrë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet kompanive, qofshin ato private apo shtetërore. Por edhe në këto raste përqindja e personave juridikë që vendosin drejtësinë të arrijnë me ndihmën e kësaj metode është shumë e vogël./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme