Gazetar: Mefail Ismaili
Qeveria duhet ti paguaj 53 milion euro gjobë Bechtel dhe Enkas pasi për 45 ditë, prej ku është nënshkruar Marrëveshja për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-d nuk është miratuar ligji për Marrëdhënie pune, që java e punës nga 40 orë të rritet në 60 orë. Kështu deklaron kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, i cili shton se nëse ky ligj vazhdon të mos miratohet, atëherë qeveria çdo muaj do i paguaj më shumë se 2 milion euro penale shtesë konzorciumit.
“Po sot kalojnë, mendoj se jemi 23-shi, sot kalojnë 45 ditë nga dita e nënshkrimit, ligji për marrëdhënie pune nuk është ndryshuar, respektivisht java e punës 40 orë pune, nuk është 60 siç është parashikuar në Marrëveshje dhe prej sot fillojnë penalet dhe njëherazi duhet 53 milion euro ti paguhen Bechtel dhe Enkas, e më pas çdo muaj duhet të paguhen nga më shumë se 2 milion euro për çdo ditë vonese, për çdo muaj, ju qytetarët. Pse? Sepse dikush ka vendosur tu vjedhë”, tha Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoja Boçvarski i shmanget pyetjes konkrete për pagesën e gjobave dhe thotë se nuk kanë bërë asnjë lloj pagese ndaj kompanisë.
“Deri më tani nuk i janë paguar mjete kompanisë, pjesa e parë e mjeteve do të jetë paradhënia për fillimin e punëve ndërtimore, çdo denarë që do të paguhet nga shteti ndaj Ndërmarrjes për Rrugë shtetërore e më pas edhe nga ndërtuesi do të publikohen në faqen e financave publike”, deklaroi Bllagoja Boçvarski, Ministëri i Transportit dhe Lidhjeve.
Kreu i VMRO-DPMNE-së thotë se punimet për korridoret bëhen në të zezë dhe pa leje, ndërsa ministri Boçvarski thotë se ky është sistem i ri i ndërtimeve të autostradave dhe ndryshimet e ligjit për ndërtim parashikojnë ndërtim më të shpejtë. Ai përsëri nuk tregon lokacion për fillimin e ndërtimeve.
“Nuk do të shohim edhe gjatë kohë aktivitete ndërtimore në terren, për shkak se ju edhe nga qeveria e dëgjuat atë që e themi ne gjithë kohës, se ata nuk janë të përgatitur dhe nuk kanë projekte… Çka kërkon Qeveria, respektivisht cilat janë ndryshimet që i kërkojnë. Në ligjin për ndërtim kërkojnë të fillojnë ndërtimin pa leje”, tha Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.
“I gjithë projekti parashikon ndërtim në faza, dhe për këtë ndryshimet ligjore parashikojnë model të ri i cili parashikon ndërtim më të shpejtë të korridoreve”, deklaroi Bllagoja Boçvarski, Ministëri Transportit dhe Lidhjeve.
Projekti për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10D që do të realizohet nga “Bechtel dhe Enka” kap vlerën e më shumë se 1.3 miliardë euro, ndërsa 300 milionë euro shtesë, sipas vlerësimeve fillestare, do të kushtojnë shpronësimin. Sipas njoftimeve do të ndërtohen mesatarisht 25 kilometra në vit, ndërsa një kilometër do të kushtojë 12 milionë euro. /Alsat.mk