Drejtori i burgut “Idrizovë”, Zoran Jovanovski, ka njoftuar se tashmë ka të punësuar të pezulluar, për shkak të hapjes së tunelit në këtë institucion ndëshkues-përmirësues.
“Ka të pezulluar, por nuk mund të them sa apo detaje të tjera. Hetimi është në vijim, rasti po zbardhet. Së shpejti presim aktakuzë, por të presim përfundimin e procedurës”, tha për “Makfax” drejtori Jovanovski.
Tuneli në “Idrizovë” u zbulua para një muaji, ndërsa nga MPB thanë se e kanë ditur dy muaj më herët. Në gërmimin e tunelit morën pjesë tetë të burgosur, të cilët janë të dënuar për vepra të rënda penale. Tuneli ishte i gjatë 40 metra dhe i mbrojtur nga prishja.
Tuneli kishte filluar nga pjesa e hapur e burgut dhe çonte në gardhin e lartë mbrojtës. Punonjësit e burgut, ndonëse kishin indikacione se kishte lëvizje të dyshimtë të të dënuarve, e zbuluan tunelin kur filluan përgatitjet për prishjen e dhomave ndihmëse, përfshirë edhe atë për ruajtjen e qymyrit.