Gazetare: Evi Shkopi
Ndërtimi i korridorit 8 dhe 10D po realizohet në mungesë transparence. Marrëveshje e cila nuk është bërë publike, përplasjet e shumta mes VMRO-DPMNE-së dhe zv/kryeministrit të parë Artan Grubi, akuzat konkrete nga opozita dhe përgjigjet gjysmake të pushtetit kanë bërë që ky projekt të jetë i rrethuar nga dilemat. Analisti Arsim Sinani thotë se në një shoqëri si e Maqedonisë së Veriut është e kuptueshme se do të ketë përplasje të një natyre të tillë, ku synimi kryesorë është përfitimi i pikëve politike. Sipas tij, transparenca minimizohet kur akuzat vijnë nga Mickoski, sepse i njëjti ka besueshmëri tek maqedonasit, por jo edhe tek shqiptarët, ndërsa BDI-ja është në luftë brenda llojit dhe e fokusuar tek përzgjedhja e liderit të ardhshëm të partisë.
“Nga të dyja palët unë shoh një lloj energjie jo vepruese, por harxhuese dhe jo shumë konkrete. Opozita ka mangësitë e veta, opozita ka detyrat e veta, por transparenca do të duhet të ishte në plan të parë sa i përket rrugës. Ato korridore janë të rëndësishme, por jo në këtë mënyrë që mos të dimë në publik se çfarë ndodh për shkak se ne i paguajmë ato taksa. Tani, Mickoski me gjasë nuk po arrin të lirohet nga figura e babait të tij ideologjik, Gruevskit. BDI-ja ka nevojë për reforma, BDI-ja ka nevojë të shkojë në opozitë”, tha Arsim Sinani – analist.
Sipas Arsim Sinanin, kjo retorikë i ngjan përgatitjes për cikël zgjedhor.
“Mendoj se po futemi gradualisht në një cikël të ri të zgjedhjeve dhe të shohim se kur do të ndodhë dhe këto janë shenjat e para që mund të kemi shumë shpejt zgjedhje parlamentare”, u shpreh Arsim Sinani – analist.
VMRO-DPMNE-ja thotë se zv/kryeministri i parë Artan Grubi gënjen dhe manipulon kur bën krahasim të ndërtimit të pjesëve të Korridoreve 8 dhe 10D në vendin tonë, me ndërtimin që Behtel-Enka ka bërë në Serbi. Sipas tyre, projekti në Serbi është zhvilluar me tender, jo me marrëveshje në katër sy, pa ndryshim ligjesh, pa barazuar ndërtimet ligjore me ndërtimet e jashtëligjshme, pa prekur lokalitetet arkeologjike dhe pa penale mbi qindra mijëra euro. Këtyre akuzave zv/kryeministri i parë u përgjigj përmes një statusi në facebook duke akuzuar VMRO-DPMNE-në për dëmet që ka shkaktuar gjatë kohës kur ishte në pushtet, duke e injoruar faktin që partia e tij ka qenë po ashtu pjesë e atij pushteti në periudhën që Grubi i referohet. /Alsat.mk