Gazetare: Melihate Rustemi
Vonesa në punë e në shkollë, humbje terminësh në mjek e shumë raste të anuluara. Këto janë pasojat që për çdo ditë po i vuajnë banorët e Shkupit për shkak të kaosit në trafik si rezultat i mungesës së autobusëve privatë. Banorët shprehen të revoltuar për pritjet e gjata që bëjnë nga 30 e deri në 50 minuta.
“20 deri në 30 minuta kalojnë e autobus nuk ka, çka është problemi nuk e di. Shumë njerëz, tash sa shkoj autobusi, plot ishte, po e presim tjetrin. Nuk mundesh me hy, ku me hy, veç me u shty”, u shpreh një qytetar.
“E kemi lëshuar autobusin se ka shumë njerëz, dikush mund të ta merr portofolin, prandaj rri pusho”, tha një qytetar.
“Ka shumë udhëtarë në autobus. Sa gjatë prisni? Rreth 45 minuta, varet në çfarë kohe. Duhet të zgjidhet sa më shpejt, ne shkojmë në punë dhe kemi nevojë për autobusë”, deklaroi një qytetare.
Sipas qytetarëve, pritjet më të gjata ose linjat më problematike janë ato me numër: 9,12,19,20, 22, 45 dhe të tjera ku kryesisht drejtoheshin nga transportuesit privatë.
“Presim më shumë se 30 minuta. Cilat linja janë më problematike? Thuajse të gjitha linjat, pa transportuesit privatë të gjithë janë të bezdisshëm, nuk ka mjaftueshëm autobusë. Posaçërisht të martën dhe të premten ka shumë njerëz, bëhet rrëmujë e madhe”, u shpreh një qytetar.
“Kur vijnë autobusët janë përplot me udhëtarë, nuk mund të futemi, katastrofë është me autobusët. Ata rrotullohen në kolltukët e tyre ndërsa ne me orë presim në stacionet e autobusëve, nuk është në rregull. Po e pres autobusin me numër 57, kur të mbërrij është plot, nuk do të mund të futem. Në punë filloj në 13, çdo ditë mbërrij në ora 13 e 20 ose 13 e 30”, tha një qytetare.
“Autobusin me numër 22 e presim rreth 40 minuta. Erdhëm të blejmë në treg, sërish do të presim”, – qytetare.
Javën e kaluar është mbyllur edhe thirrja e katërt publike e Qytetit të Shkupit për angazhim të transportuesve privatë në linjat ku mungojnë autobusë. Pavarësisht pyetjeve që dërguam, nga Qyteti i Shkupit nuk u përgjigjën nëse kjo thirrje ishte e suksesshme ose e dështuar. Në shpalljen publike u kërkuan transportues për 16 linja, respektivisht 115 autobusë dhe 245 shoferë. Më shumë se gjashtë muaj transportuesit privatë nuk qarkullojë në kryeqytet. Kjo për shkak të borxhit prej më tepër se 1,5 milion euro të cilin e ka ndërmarrja për Qarkullim Publik ndaj tyre. /Alsat.mk