Gazetar: Ile Petrevski
Çmimet globale të ushqimeve në prill të këtij viti u rritën për 20 për qind, krahasuar me marsin e vitit të kaluar, kur ushqimet arritën çmime astronomike. Nga Organizata Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO, kanë bërë të ditur se shtrenjtimi më drastik i ushqimit është vërejtur te mishi, orizi dhe sheqeri. Por, kjo organizatë apelon për kujdes në periudhën në vijim – sepse masat e zbutura dhe stagnimi i inflacionit mund të shkaktojnë rritje të kërkesës dhe e gjithë kjo mund të rrisë sërish çmimet.
“Është e rëndësishme të vazhdohet të monitorohet nga afër situata me çmimet dhe arsyet e rritjes. Ndërsa ekonomitë rimëkëmben nga një ngadalësim i ndjeshëm, kërkesa do të rritet, duke ushtruar presion në rritje mbi çmimet e ushqimeve. Rritja e çmimeve të orizit është jashtëzakonisht shqetësuese dhe është thelbësore të rinovohet nisma e Detit të Zi për të shmangur çdo rritje të mëtejshme të grurit dhe misrit”, thonë nga FAO.
Çmimi i mishit në muajin prill u rrit për 1.3 për qind për shkak të rritjes së kërkesës dhe prodhimit të kufizuar, por edhe uljes së rezervave. Në bursa, rritje më të madhe të çmimit ka te sheqeri, prej 17.6 për qind në krahasim me marsin e vitit të kaluar, që vjen si pasojë e uljes së prodhimit në Indi, Kinë, Tajlandë dhe në Bashkimin Evropian, por edhe për shkak të thatësirës që e vonoi vjeljen e kallam sheqerit sidomos në Brazil. Sa i përket çmimeve të drithërave, FAO njoftoi se ka pasur rënie prej 1.7 për qind në nivel botëror, kryesisht për shkak të mundësisë së eksporteve në Australi dhe Rusi. Sa i përket gjendjes në Maqedoni, çmimet me pakicë në mars në krahasim me shkurtin e këtij viti kanë shënuar rënie të parëndësishme prej 0,1 për qind. Sa i përket shpenzimeve të jetesës për të njëjtën periudhë, rënie është vërejtur te buka dhe drithërat me 4,7%, qumështi me 4,6%, vaji i gatimit me 2,4%, djathi dhe gjiza me 2,2%, frutat e freskëta me 1,2%, peshku me 0.8% dhe vezët 0.2%. Përllogaritja e fundit e shportës konsumatore të Sindikatës është mbi 50 mijë denarë, ndërsa vetëm për ushqim një familjeje katër anëtarëshe i nevojiten pak më shumë se 19 mijë denarë./Alsat.mk