Maqedonia e Veriut nuk do të bllokohet në të ardhmen për çështje të historisë apo identitetit. Ambasadori i BE-së në Shkup Dejvid Gir, në Programin 200 në Alsat tha se Brukseli zotohet se do të fokusohet vetëm në zbatimin e reformave.
“Ka një zotim, nga ana e BE-së që fokusi të jetë në zbatimin e reformave, sepse rruga drejt BE-së është përmes reformave. Prandaj ndonjë bllokim i mundshëm do të kishte lidhje me reformat dhe jo për çështje të tjera që prekin historinë ose identitetin për të cilat ka shqetësime”, deklaroi Dejvid Gir, në Programin 200 në Alsat.
Sipas ambasadorit Gir garanci s’ka pasur dhe nuk ka për asnjë shtet që është në procesin e negociatave pasi kjo varet nga plotësimi i hapave të nevojshëm për anëtarësim në BE.
“Pra, nëse ka garanci? Nuk ka garanci në asnjë proces por nga përvoja e kaluar kur i sheh shtetet që janë anëtarësuar, janë ballafaquar me çështje shumë serioze, përfshi me fqinjët e tyre. Mendoni Kroacinë me Itali, dhe shumë të tjerë. Çfarë ne kemi parë është se me kalimin e kohës, kur procesi avancohet dhe krijohet besimi, çështjet e vetos fillojnë të zbehen dhe fokusi mbetet te reformat edhe hapat e nevojshëm për anëtarësim në BE, sa më shpejtë që të jetë e mundur”, deklaroi Dejvid Gir, në Programin 200 në Alsat.