Në vitin 2010, statistikat zyrtare të ISSH-së raportonin 543,053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2022, u raportuan 686,923 të tillë. Sipas të dhënave që i përkasin harkut kohor 2010-2022, ritmet e rritjes së numrit të pensionistëve u zgjeruan pas 2012-s.
Më 2010 dhe 2011, numri i tyre është rritur me rreth 5 mijë pensionistë në secilin vit, por pas vitit 2013, në skemë shtohen mesatarisht 15 mijë çdo vit. Ritmet janë ulur pak vitet e fundit, për shkak të reformës së re në pensioneve që zgjati moshën e daljes në pension me 6 muaj në vit për gratë dhe efekteve që krijoi pandemia ku shumica e vdekjeve shtesë ishin në moshë pensioni.
Megjithë këto zhvillime në vitin 2022 skema e sigurimeve shoqërore shfaqi qëndrueshmëri prej arkëtimeve më të larta nga kontributet. ISSH raportoi të ardhura 133,3 miliardë lekë nga kontribute me një rritje vjetore 18%. Si rrjedhojë subvensionet nga buxheti i shtetit për skemën e sigurimeve ishin 22,9 miliardë lekë me rënie 18 për qind nga viti 2021, ku buxheti e mbështeti nga të ardhurat e tjera skemën publike të pensioneve me rreth 28 miliardë lekë.
Këto zhvillime nuk zbehin qëndrueshmërinë e skemës në periudhën në vijim ku gjithnjë e më shumë pensionsitë do të përfshihen në skemë dhe presionet për rritjen e masës së pensioneve janë rritur nga çmimet e larta. Të ardhurat e pensionistëve po gërryhen nga inflacioni, teksa qeveria dha paketa ndihme shtesë këtë vit për këtë kategori.
Shqipëria nuk e ka të zhvilluar infrastrukturën për të siguruar jetë të mirë për pensionistët. Mungojnë shtëpitë e kujdesit social, azilet etj. Sistemi shëndetësor ka kapacitete të kufizuara për të përballuar nevojat në rritje nga pensionistet për shërbime. Lista e barnave që rimbursohen është e kufizuar dhe moshat e vjetra përballen me shpenzime të larta për shëndetin nga xhepi