Drama shqipe – gjini e vështirë që mungon në mjedise të pazhvilluara

Akademikë e studiues nga hapësirat shqiptare e më gjerë janë bërë bashkë të enjten në Prishtinë në analizimin e dramës shqipe në fillim të këtij shekulli. Nga këndvështrime të ndryshme janë zbërthyer zhvillimi historik, qasjet e veçantitë e saj. Konferenca është organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. “Drama mbetet gjini e vështirë, sepse është e zbuluar dhe duke zbuluar shfaq mjeshtërinë, por edhe dobësinë. Prandaj, drama ka zhvillim kulmor vetëm në stadin e lartë të mjediseve kulturore”, ka thënë akademik Sabri Hamiti

“Drama shqipe – fillimi shekullit XXI”, ka qenë tema e konferencës shkencore ndërkombëtare organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. E analizuar në dimensione të ndryshme e pothuajse në të gjitha detajet, njëri prej konstatimeve ka qenë se drama shqipe është gjini e vështirë dhe si e tillë mungon në mjedise ta pazhvilluara kulturore. Studiuesit kanë marrë në shqyrtim vepra autorësh e periudhash të ndryshme duke i zbërthyer dallimet e ngjashmëritë e tyre.

Ndërthurja e elementeve komike e tragjike, ironia që ajo përmban, reflektimi në programet e inteligjencës artificiale, kanë qenë disa prej temave. Rreth njëzet studiues kanë shpalosur kumtesat e tyre në AShAK, në konferencën gjithëditore të enjten. Nëpërmjet kumtesave janë rikthyer edhe vepra të shumë kohëve më parë teksa janë tërhequr paralele edhe me dramën e sotme.

Akademik Sabri Hamiti e ka cilësuar dramën si gjini të vështirë.

“Drama mbetet gjini e vështirë, sepse është e zbuluar dhe duke zbuluar shfaq mjeshtërinë, por edhe dobësinë. Prandaj, drama ka zhvillim kulmor vetëm në stadin e lartë të mjediseve kulturore, dhe mjediseve pa zhvillim të lartë kulturor u mungon drama si formë e vështirë”, ka thënë akademik Hamiti, i cili bashkë me akademik Eqrem Bashkën e Nysret Krasniqin, anëtar korrespodent i AShAK-ut, ka përbërë treshen e Këshillit organizues të Konferencës. Teksa ka zbërthyer dramën – që nga tragjedianët antikë si Eskili, Sofokliu e Euripidi nëpërmjet kanonizuesit Aristoteli – ka thënë se ajo ka qenë dhe mbetet “trajta më e rrezikshme e krijimit dhe komunikimit”.

“Ajo e nxjerr në pah njeriun e gjallë”, ka thënë akademik Hamiti, i cili ka hapur seancën e parë të konferencës me kumtesën “Drama: gjini i vështirë”. Në studimin e tij ka zënë vend edhe drama e dramaturges nga Kosova, Doruntina Basha.

“Në suksesin e përsëritur në gjininë e vështirë dhe të rrezikshme të dramës, Doruntina Basha tashmë mua më duket që qëndron në ballin e dramaturgëve shqiptarë sot”, ka thënë akademik Hamiti.

“Autori nuk sprovon në këto drama një shkrim kompleks dramatik e as personazhe të thellësisë introspektive, gravitetin e absurdes e aq me pak thyerje të forta të kohës e hapësirës dramatike. Një rrjedhë e së zakonshmes, e deri diku e të rëndomtës, zhvendoset nëpër episodet e skenat e dramës si për të ndërtuar një lëndë neutrale e transparente, të emërtueshme edhe si ‘regjim infradramatik’ (të kuptuar sipas Jean-Pierre Sarrazac), paqja dhe amshimi i së cilës thërrmohet befasisht duke hapur në zemër të saj një humnerë etike, një prag prej nga zë fill përmasa tragjike e personazheve dhe e tekstit dramatik, si një tragjikë ‘e pavarur tashmë nga zhanri i tragjedisë’”, ka thënë Asllani në kumtesën “Dramat e Ylljet Aliçkës mes ligjërimit narrativ dhe aksionit skenik”.

Një tjetër autor, hulumtimi i të cilit u lexua në konferencë ndonëse fizikisht ka munguar, ka qenë edhe Stefan Çapaliku. Por, përpos me kumtesë shkencore, ai u përmend edhe kur studiuesi Arben Prendi rroki për analizë veprat e tij. Ka vënë në dukje ndërthurjet e elementeve komike dhe tragjike në dramë.

“Komikja në këto tekste realizohet shpesh përmes ironisë, sarkazmit dhe paradoksit, ndërsa tragjikja përmes të ashtuquajturit ‘humor i zi’. Tragjikja shpesh buron papritur dhe menjëherë nga situata komike, por edhe komikja shpesh lind në kulmin e situatës komike. Kuptohet, këtu nuk bëhet fjalë për kategoritë estetike klasike të komikes dhe tragjikes, ku ose përqeshet, ose konflikti zgjidhet me vdekjen e heroit ose heronjve, por është fjala për ndërthurje të tyre në tërësinë e tekstit”, ka thënë Prendi.

Edhe “Pasioni” e Sabri Hamitit ka qenë njëra prej dramave që është marrë për bazë studimi. “Dikur, dje, sot, nesër përherë”, ka qenë titulli i kumtesës së Erenestina Gjergji-Halilit, me të cilën ka zbërthyer një vëzhgim analizues mbi poetikën e veprës, që duket se harmonizon distancën estetike të marrësit në paraqitjen fragmentarizuese të subjektivitetit njerëzor.

“Prej fillimit në fund hasim eksperimente elitare të gjuhës e figurës dramatike, që krijojnë e thellojnë konceptin e mozaikut dramatik letrar, i cili mbrohet me gestald e mjete të tjera tekstuale dramatike strukturore e përmbajtjesore. Ky tekst i dykodshëm, mendojmë, se për nga forma dhe simbioza përmbajtjesore paraqitet një tekst i rrallë hasur në letërsinë tonë”, ka thënë Gjergji – Halili.

Studiuesi e shkrimtari Adil Olluri ka marrë për bazë dramat e Arian Krasniqit. Olluri ka folur për mënyrën e shkrimit dramatik, temat, idetë dhe konceptet te dramat e Krasniqit.

“Arian Krasniqi me ligjërimin e tij dramaturgjik dhe artistik na i ofron asociacionin e ideve dhe mesazhin e figurshëm, ritualin kanunor dhe ndjesinë e individit brenda tij, përjetimin dhe sakrificën amnore, rinjohjen dhe dramën e karakterit, dramën dhe teatrin e absurdit dhe motivin e vrasjes së paqëllimshme dhe hakmarrjes së natyrës ndaj të kaluarës së individit. Me këtë gamë motivesh e pikë shikimesh ai na shfaqet si një krijues i formuar i artit dramaturgjik, që shkrimin artistik nuk e ka aktivitet të çastit, por një veprimtari që e kultivon çdoherë”, ka thënë Olluri në përfundimin e kumtesës së tij, si një përmbledhje të krejt krijimtarisë dramaturgjike të njërit prej dramaturgëve të gjeneratës së re.

“Drama e shekullit të ri në Kosovë”, ka qenë titulli i kumtesës së studiuesit Muhamet Hamiti i cili, ndër të tjera, ka nxjerrë një përfundim.

“Brezi i ri duket se synon një teatër qytetar që bëhet gjedhe që mëton të bëhet teatër i ri nacional, siç u ndikua në fillim të këtij shkrimi. Në rrafsh zhanri, mbizotëron komedia. Në rrafsh tematik, temat universale për pushtetin, për dhunën (luftën), për lirinë, për detyrën, për dashurinë, për familjen, që janë në thelb të idesë për njerëzoren, por që trajtohen ndonjëherë me afsh agjitacioni politik në kontekstin e Kosovës”, ka thënë Hamiti.

Edhe lidhja e dramës me teatrin është prekur në këtë konferencë, e më gjerësisht për të ka folur Ag Apolloni. Teatri online, teatri hibrid, metateatri, teatri spektakolar kanë ardhur të analizuara nga Apolloni në kuadër të zhvillimit të tyre në Kosovë.

“Drama shqipe në shekullin 21 ka sjellë ndryshime tekstuale dhe skenike, që mund të shihen si risi dhe avancime, si për shembull metateatri, teatri hibrid, teatri i sajuar etj., nëpërmjet të cilëve është e dukshme dhe e kuptueshme që teksti ka kushtëzuar shfaqjen”, ka thënë Apolloni. Por, me gjithë avancimet që ai ka sjellë, ka diçka që konsideron se ka ngecur.

“Nga të dhënat që kam arritur të nxjerr mbi trajektoren e teatrit tonë del se dy tipa të teatrit kanë dështuar: teatri online dhe teatri spektakolar. Kjo do të thotë që politika kulturore e ka injoruar virtualitetin dhe s’ka mundur ta përballonte realitetin. Këto janë dy probleme që mbesin: në epokën e internetit, teatri online s’mund të jetë tranzicional; në epokën e spektaklit teatri spektakolar s’mund të mos jetë test i validitetit institucional”, ka thënë ai në kumtesën me titull “Drama dhe teatri”.

Kumtesat e konferencës organizuar nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës do t’i botojë sivjet në një botim të veçantë. “Drama shqipe e shekullit 21” është konferenca e dytë brenda këtij muaji organizuar nga ASHAK-u. Në fillim të majit ishte mbajtur konferenca ndërkombëtare “Filozofia dhe poezia”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme