Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë në Bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi ka votuar gjatë paradites së sotme në një nga qendrat e votimit në këtë qytet.
Ai i bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e presioneve nga ana e administratës socialiste në lidhje me votimin elektronik duke garantuar edhe njëherë tjetër se vota është e fshehtë.
Më tej ai theksoi se gjatë gjithë fushatës elektorale, mbështetësit e tij janë kërcënuar për heqjen nga vendi i punës.
“Në shumë qendra pajisja PEI nuk ka funksionuar dhe më pas identifikimi është bërë manual. Dua të siguroj të gjithë votuesit që vota nuk lexohet, Ky presion i shpërndarë përgjatë këtyre ditëve vazhdon edhe sot. Duan të detyrojnë njerëzit që t’i rrëmbejnë votën. Votimi është i sigurt. Vota nuk lexohet dhe mesazhi është për të gjithë votuesit e Elbasanit.
Presioni ka filluar që herët. Administrata është detyruar të përgatisë lista për votuesit. I kemi denoncuar në vazhdimësi. Një pjesë e madhe janë ndjerë të detyruar të dorëzojnë listat e tyre. Presionet e tjera kanë vazhduar me heqjen e ndihmës ekonomike dhe kërcënime për heqje nga vendi i punës. Kemi qenë të ndjekur, të survejuar. Njerëzit që na kanë takuar janë thirrur dhe presionuar. Këto nuk kanë qenë zgjedhje por nuk një luftë e vërtetë me mjete që janë përdorur masivisht nga banda e shtetit dhe banda e bashkisë. Ky është një realitet i denoncuar në vazhdimësi nga ne. Kemi denoncuar edhe në prokurori raste kur mbështetësit tanë janë kërcënuar nga drejtuesi politik i qarkut zoti Gjiknuri që ka marrë përsipër të lozë edhe rolin e policit, të sharësit, të dhunuesit në të gjitha format dhe mënyrat që ai ka pasur në dorë.
Jemi në betejë me njerëzit që këtë dhunë duan ta fokusojnë te ata që sot janë në punë. Vota nuk lexohet, Duhet ta përsërisim për këtë arsye. Vota nuk lexohet. Është thirrje që unë e bëj për të gjithë votuesit ashtu si i bëj thirrje të gjithë votuesve të Elbasanit që të dalin të votojnë me qëllim që ky qytet dhe kjo bashki të mos jetë bashkia më e shpopulluar. Shpresoj të mos kemi probleme se çdo kthim në votim manual do të vononte rezultatin”, deklaroi ai.