Pesë persona u shpallën fajtorë për një nga vjedhjet më spektakolare jo vetëm në historinë e Gjermanisë.
Sipas BBC, hajdutët vodhën një thesar të jashtëzakonshëm në qytetin e Dresdenit.
Hajdutët, pjesë e një grupi që njihet në Gjermani si klani ‘Remmo’, mendohet se vodhën gjëra të çmuara me vlerë 113 milionë euro.
Policia gjeti shumë nga sendet e çmuara, duke përfshirë edhe një shpatë të veshur me diamante, por ka frikë se pjesa e mbetur e thesarit nuk do gjendet kurrë.
Anëtarët e klanit ‘Remmo’, një bandë famëkeqe familjare në Gjermani, u dënuan nga 4 deri në 6 vite.
Mediat gjermane e quajnë këtë një dënim të butë.
Grabitja ishte planifikuar me përpikmëri. Banda, e cila jeton në Berlin, e vizitoi muzeun disa here duke përcaktuar vendin ku do futeshin duke përdorur një makinë prerëse hidraulike. Në orët e para të mëngjesit të 25 nëntorit 2019, ata i vunë flakën një paneli pranë muzeut, duke e zhytur zonën në errësirë.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë më pas hajdutët me maska duke përdorur sëpatat për të thyer xhamat që të merrnin thesarin. Hajdutët më pas spërkatën shkumë zjarrfikëse mbi dhomë për të mbuluar gjurmët përpara se të largoheshin me një Audi, të cilën e braktisën në një parking duke i vënë flakën.
Pas një hetimi njëvjeçar, policia bëri arrestimet e para në klanin ‘Remmo’, një rrjet familjar me origjinë arabe, që dyshohet për disa krime, duke përfshirë bastisje në dyqane dhe grabitje bankash.
Një nga hajdutët e Dresdenit ishte dënuar më parë për vjedhjen e një monedhe gjigante ari, e cila peshonte 100 kg, nga muzeu ‘Bode’ i Berlinit në vitin 2017. Monedha nuk u gjet kurrë dhe besohet se është thyer ose shkrirë.
© SYRI.net