Gazetar: Lluka Andreev
Në grupin e punës për ndryshimet kushtetuese po flitet për ridefinim të shtetit, thotë kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski. Sipas informacioneve që ai kishte, synimi ka qenë që në Kushtetutë të rregullohet se Maqedonia është shtet i dy popujve, përkatësisht të jetë shtet binacional. Ai akuzoi se Kovaçevski dhe Ahmeti në vend të bllokut pro-evropian kanë formuar bllok anti-maqedonas.
“Mbetet që edhe kufijtë të vendosen dhe Maqedonia edhe formalisht të bëhet shtet federal. Kovaçevski le të ketë kujdes çfarë premton, e dimë që koncesioni i tij drejt lojtarit kryesor në Qeveri, që është Bashkimi Demokratik për Integrim, është i madh”, deklaroi Hristijan Mickoski,– kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Socialdemokratët reaguan menjëherë. Sipas LSDM-së, Mickoski ka shpikur marrëzira. Nga partia në pushtet shtojnë se VMRO-DPMNE me pretendime të tilla po ik nga vendimi nëse do të anëtarësohet në bllokun proevropian apo do të mbetet në bllokun, siç thonë ata, antievropian, bashkë me partinë “E Majta”.
“Qasje e vjetër dhe tashmë e parë e mbjelljes së gënjeshtrave, siç ishte për bullgarizimin, asimilimin, emigrantët, kantonizimin e çfarë jo. Është koha për votim për Evropën në Kuvendin e Maqedonisë, jo për trillime të reja të pakuptimta që nuk kanë lidhje me realitetin”, u shpreh Zhaklina Lazareska, deputete e LSDM-së.
Nga LSDM-ja shtojnë se grupi punues për ndryshimet kushtetuese është i përbërë vetëm për të ofruar tekstin e draft amendamenteve që do të mundësojnë hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Paraprakisht, disa nga anëtarët e grupit punues theksuan se kanë mandat të flasin vetëm për ndryshimet kushtetuese që rezultojnë nga korniza e miratuar e negociatave ndërmjet Shkupit dhe Brukselit, edhe pse në publik disa nga përfaqësuesit e qeverisë, përfshirë edhe presidentin e vendit, mbështetën zëvendësimin e termit “20% ” me “gjuhë shqipe”. /Alsat.mk